Kreu i PD-së, Sali Berisha, u bëri thirrje qytetarëve të mbështesin protestat studentore, të cilat i cilësoi si lëvizje historike. Ai ftoi bizneset e vogla të shprehin solidaritet me studentët, përfshirë edhe përmes ndërprerjes së përkohshme të punës. Berisha tha se studentët nuk kanë urrejtje ndaj bizneseve të vogla, por, sipas tij, kundërshtojnë kryeministrin Edi Rama dhe oligarkët. Ai theksoi se mbështetja e biznesit të ndershëm do të ishte një shenjë solidariteti me të rinjtë.
“PD u bën thirrje mbarë qytetarëve të mbështesin me të gjithë potencialin e tyre këtë lëvizje historike, këtë revoltë historike të studentëve të Tiranës dhe universiteteve të vendit, këtë revoltë historike shpëtimtare të mbarë rinisë shkollore dhe më gjerë. PD u bën thirrje bizneseve të vogla që kanë te kjo parti, partinë e tyre, të gjejnë format dhe të shprehin solidaritetin e tyre të plotë me studentët në revoltë”, tha Sali Berisha.

