Pajisje të reja mjekësore, krevate, karrige dhe ambiente të rinovuara tashmë janë në funksion në Klinikën Universitare për Sëmundje të Fëmijëve.
Për ta parë nga afër përfundimin e 11 projekteve infrastrukturore dhe mjekësore shkoi kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministri i shëndetësisë Azir Aliu, të cilët i priti drejtori i klinikës Rexhep Memedi.
“Vlera totale e këtyre projekteve është afërsisht 40 milion denarë, nga të cilat 7.6 milionë denarë janë donacion të pajisjeve mjekësore. Këto rezultate nuk do të ishin të mundura pa mbështetjen e qeverisë, ministrisë së shëndetësisë, fondit shëndetësor, departamentit të pediatrisë, ekipeve mjekësore, ekipit të administratës”, tha Rexhep Memedi, drejtor Klinikës Universitare për Sëmundje të Fëmijëve.
Ministri i Shëndetësisë Aliu u zotua se do të punohet në tre shtylla të shëndetësisë.
“Shtylla e parë është infrastruktura, që nënkupton se drejtori e ka bërë këtë dhe e ka rinovuar brenda, shtylla e dytë është teknologjitë të cilët lidhen me shërbimin e mjekëve dhe shtylla e tretë është mjekët të cilët janë specialist por gjithashtu edhe investohet në edukimin e tyre”, u shpreh Azir Aliu, Ministër i Shëndetësisë.
Kryeministri Mickoski u shpreh i kënaqur që u bë shumë punë me pak para.
“Kjo që është bërë me pak të holla, ndërsa duket shumë, me të vërtetë meriton lavdërime. Unë mundem vetëm edhe njëherë të falënderoj për atë që janë kujdesur për këtë objekt, sepse ky objekt duhet të kujdeset për shëndetin e më të rinjve, fëmijëve”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
Klinika për Sëmundjet e Fëmijëve ka pastruar më shumë se 40 ton mbeturina, orendi të vjetra, pajisje elektronike dhe inventar mjekësor të dalë jashtë funksioni.