Real Madridi ka siguruar nënshkrimin e mbrojtësit të majtë spanjoll, Alvaro Carreras, nga Benfica, duke e bërë atë përforcimin e katërt të klubit në këtë afat kalimtar veror.
Lajmi u konfirmua nga eksperti i njohur i transferimeve, Fabrizio Romano, i cili publikoi detajet në profilin e tij në platformën X.
Sipas raportimeve, marrëveshja kap vlerën prej 50 milionë eurosh, e cila do të paguhet në këste dhe jo menjëherë në një shumë të vetme.
I vetmi hap që ka mbetur është që Manchester United, ish-klubi i Carreras, të refuzojë zyrtarisht opsionin për ta rikthyer lojtarin përmes klauzolës së lirimit.
Pasi të jepet drita jeshile përfundimtare, Carreras do të udhëtojë drejt Madridit për të finalizuar transferimin dhe për t’u prezantuar si lojtar i ri i ‘Los Blancos’.
Carreras e nisi karrierën në ekipin e të rinjve të Deportivo La Coruna, për t’u bashkuar më pas me akademinë e Real Madridit në vitin 2017, ku qëndroi deri në 2020.
Ai ka luajtur për ekipin e dytë të Manchester United dhe është huazuar te Granada, Preston dhe Benfica, ku sezonin e kaluar zhvilloi 52 ndeshje, shënoi katër gola dhe dha pesë asistime. /Telegrafi/