Komuna e Tearcës i hedh poshtë si të pavërtetë dhe manipulues reagimet e Aleancës për Shqiptarët, e cila po përpiqet të krijojë skandal aty ku nuk ka as përjashtim dhe as cenim të gjuhës shqipe.
Për informimin e opinionit, billbordi në gjuhën shqipe është vendosur në rrugën kryesore si urim mirëseardhjeje për mërgimtarët tanë. Ndërkaq, billbordet në gjuhën maqedonase dhe turke janë vendosur si shprehje e tolerancës, bashkëjetesës dhe respektit ndaj të gjithë qytetarëve të Komunës së Tearcës.
Pretendimi se gjuha shqipe është anashkaluar është i pavërtetë dhe përbën manipulim politik, i bazuar në paraqitje të njëanshme dhe fshehje qëllimisht të pranisë së billbordit në gjuhën shqipe.
Duket se disa ende nuk janë pajtuar me humbjen në zgjedhje. Kur mungojnë projektet dhe rezultatet, shpiken skandale, ndërsa gjuha shqipe përdoret si mbulesë për dështimin politik.
Ndërkohë, Komuna e Tearcës vazhdon të punojë për çdo qytetar dhe çdo lagje. Janë kryer matjet dhe së shpejti do të asfaltohet edhe rruga në lagjen e ish-kundërkandidatit.
Komuna e Tearcës porosit qartë: nuk do ta lejojë askënd ta përdorë gjuhën shqipe si mjet për përçarje dhe përfitim politik. Qytetarët e Tearcës e dallojnë punën nga propaganda dhe faktet nga zhurma partiake.

