REAGON BDI: Rritja e çmimit të naftës, pasojë e dështimit të Qeverisë

2 Min. Leximi

Shkup, 17 mars – Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj rritjes së çmimit të naftës në vend, duke e cilësuar situatën si pasojë të drejtpërdrejtë të dështimit të Qeverisë për të menaxhuar krizën ekonomike dhe për të mbrojtur standardin jetësor të qytetarëve.

Nga kjo parti opozitare theksojnë se paralajmërimet e tyre për rritje të çmimeve tashmë po realizohen, ndërsa institucionet shtetërore nuk kanë ndërmarrë asnjë masë konkrete për të zbutur pasojat. Sipas BDI-së, vendi aktualisht funksionon pa një Ministri të Ekonomisë efektive, çka, sipas tyre, po reflektohet drejtpërdrejt në përkeqësimin e situatës ekonomike. “Qytetarët po lihen në mëshirë të fatit, ndërsa pritet rritje e çmimeve të produkteve bazë, kostove të transportit dhe, në përgjithësi, shtrenjtim i jetës”, thuhet në reagimin e BDI-së. Partia e Ali Ahmetit paralajmëron se, nëse nuk ndërmerren masa urgjente, çmimet mund të rriten mbi 10 për qind, gjë që do të rëndojë ndjeshëm buxhetet familjare dhe do të thellojë krizën sociale në vend.

BDI vlerëson se Qeveria nuk ka kapacitet për të menaxhuar zhvillimet ekonomike, madje edhe kur ato lidhen me faktorë të jashtëm, duke kërkuar përgjegjësi politike për situatën e krijuar. Në këtë drejtim, nga kjo parti kërkojnë shkarkimin e Ministrit të Ekonomisë, për të cilin thonë se nuk ka as vizion dhe as plan për përballimin e krizave. Nga ana tjetër, BDI i bën thirrje Qeverisë që të shqyrtojë dhe të implementojë propozimet e saj për mbrojtjen e qytetarëve, duke theksuar se do të japë mbështetje të plotë për çdo masë që synon zbutjen e pasojave ekonomike dhe stabilizimin e tregut.

Reagimi i BDI-së vjen në kohën kur çmimet e derivateve të naftës kanë shënuar rritje të ndjeshme, duke nxitur shqetësime për efektet zinxhir në ekonominë e vendit.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull