Ramazani, riorganizim i jetës dhe rikthim tek thelbësorja

4 Min. Leximi

Nëse përjetohet me vetëdije, ky muaj nuk mbetet thjesht një periudhë kalimtare, por bëhet pikë kthese – një fillim i ri në udhëtimin e përhershëm të njeriut drejt përsosjes.

Mr. Abaz ISLAMI

Muaji i Ramazanit nuk është thjesht një segment kohor në kalendarin hënor islam; ai është një shkollë e brendshme e disiplinës, një laborator shpirtëror ku besimtari rifiton harmoninë e humbur mes trupit, mendjes dhe shpirtit. Në thelb, Ramazani është një projekt i vetëdijshëm i riorganizimit të jetës, një akt reflektimi i thellë mbi kuptimin e ekzistencës dhe mbi raportin e njeriut me Allahun, Krijuesin e botërave.

Njeriu modern jeton në një realitet të fragmentarizuar, ku koha shpesh i ikën nga duart mes angazhimeve, teknologjisë dhe zhurmës së pandërprerë të informacionit. Në këtë vorbull shpërqendrimi, Ramazani vjen si një thirrje për rend, si një rikthim tek thelbësorja. Orari i veçantë i këtij muaji – agjërimi nga agimi deri në perëndim, faljet e shtuara, përkushtimi ndaj adhurimit – e mëson besimtarin se koha nuk është vetëm një kategori kronologjike, por një amanet moral. Organizimi i saj bëhet akt adhurimi, ndërsa disiplina personale shndërrohet në formë lirie të brendshme.

Në konceptin metafizik, Ramazani është përforcim i lidhjes së njeriut me Krijuesin e botërave, me Allahun Fuqiplotë. Përmes agjërimit, njeriu e kupton se nevoja, uria dhe etja nuk janë dobësi, por shenja të natyrës së tij si krijesë. Në këtë vetëdije lind përulësia, ndërsa përulësia hap derën e afrimit me Krijuesin. Agjërimi nuk është vetëm privim nga ushqimi; është një ushtrim i vullnetit, një pastrim i brendshëm nga tepricat e egos dhe nga iluzioni i vetë-mjaftueshmërisë.

Shoqëria bashkëkohore e ndien thellë mungesën e qetësisë shpirtërore. Ndërsa mjekët dhe psikologët paralajmërojnë për varësinë nga rrjetet sociale dhe për largimin nga leximi reflektiv, Ramazani ofron një alternativë të qartë: rikthimin tek fjala e shpallur, mbinatyrore, e ndritur, tek Kurani. Leximi i tij, nuk është vetëm akt ritual; është dialog me mbinatyroren. Çdo ajet bëhet pasqyrë ku besimtari sheh veten, dobësitë dhe aspiratat e tij. Në këtë dialog lind një vetëdije e re, më e thellë dhe më e përgjegjshme.

Edhe në dimensionin trupor, Ramazani ka një filozofi të vetën. Në një botë të karakterizuar nga disbalanca ushqimore, nga teprimi dhe konsumi i pakontrolluar, agjërimi rikthen masën dhe vetëpërmbajtjen. Ushqimi merr kuptim tjetër: ai nuk është më vetëm kënaqësi, por mirësi që kërkon falënderim. Orari i rregullt dhe kujdesi ndaj asaj që konsumohet shndërrohen në edukatë, në kulturë të përmbajtjes dhe të mirënjohjes.

Së fundi, ndikimi i Ramazanit nuk mbetet i kufizuar në individualitet. I ushqyer nga mësimet kuranore dhe nga tradita profetike, besimtari ndjen përgjegjësi të shtuar ndaj shoqërisë. Solidariteti me skamnorët, varfërit, ndihma ndaj atyre që kanë nevojë, kujdesi ndaj kategorive të ndjeshme – të gjitha këto janë shprehje konkrete të një shpirtërie autentike. Adhurimi, në këtë kuptim, nuk është arratisje nga bota, por angazhim moral brenda saj.

Prandaj, Ramazani mund të kuptohet si një filozofi jete e përqendruar në ekuilibër: mes trupit dhe shpirtit, mes individit dhe shoqërisë, mes kohës dhe amshimit. Ai është një mundësi për riorientim, për pastrim të brendshëm dhe për rindërtim moral. Nëse përjetohet me vetëdije, ky muaj nuk mbetet thjesht një periudhë kalimtare, por bëhet pikë kthese – një fillim i ri në udhëtimin e përhershëm të njeriut drejt përsosjes.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull