“Qyteti i Sigurt” zgjerohet me kamera mobile: Policia do të identifikojë shkeljet në trafik edhe gjatë lëvizjes

3 Min. Leximi

Ministria e Punëve të Brendshme planifikon ta zgjerojë projektin „Qyteti i Sigurt” me kamera mobile për kontrollin e shpejtësisë, si dhe me pajisje të integruara në automjetet policore, të cilat do të mund të regjistrojnë kundërvajtjet në trafik edhe përderisa janë në lëvizje – paralajmëroi sot në konferencë për shtyp ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.

Ai theksoi se analizat e deritanishme kanë treguar se vendosja e kamerave vetëm në lokacione të përcaktuara paraprakisht nuk do të ketë efekt të mjaftueshëm parandalues. Qëllimi është që drejtuesit e automjeteve të jenë të vetëdijshëm se mund të identifikohen në rast se shkelin rregullat e trafikut, pavarësisht se ku janë duke lëvizur.

Sipas propozimeve të ekspertëve, automjetet ekzistuese të policisë duhet të pajisen me kamera që do të matin shpejtësinë e automjeteve edhe gjatë lëvizjes. Paralelisht, është planifikuar edhe blerja e kamerave mobile, të cilat do të vendosen në të ashtuquajturat pika të zeza, përkatësisht në lokacionet ku ndodhin më shpesh aksidente trafiku me viktima dhe persona të lënduar rëndë.

Toshkovski deklaroi se do të punohet për identifikimin e të gjitha pikave kritike të trafikut në të gjithë vendin, si në zonat urbane, ashtu edhe në rrugët magjistrale dhe autostradat ekspres.

Ministri i Punëve të Brendshme njoftoi gjithashtu se sistemi „Qyteti i Sigurt” do të fillojë zyrtarisht të zbatohet në javën e parë të dhjetorit edhe në rajonin e SPB-së Strumicë.

Më pas në radhë është SPB-ja e Shtipit, ku aktivitetet pritet të përfundojnë deri në fund të këtij viti. Pas saj mbetet edhe rajoni i SPB-së Manastir, për përfshirjen e të cilit do të nevojitet një periudhë prej një deri në një muaj e gjysmë.

Toshkovski pret që deri në muajin shkurt sistemi „Qyteti i Sigurt” të vihet në funksion në të gjithë territorin e Maqedonisë.

Duke iu referuar kritikave ndaj projektit „Qyteti i Sigurt”, ministri u bëri thirrje qytetarëve të kenë parasysh se gjatë 15 viteve të fundit, më shumë se 2.000 persona kanë humbur jetën në aksidente trafiku.

Ai theksoi se aktivitetet për rritjen e sigurisë në komunikacion nuk do të përfundojnë me vendosjen e kamerave, por do të vazhdojnë edhe me masa të tjera që synojnë parandalimin e kundërvajtjeve në trafik dhe uljen e numrit të aksidenteve.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull