Qyteti i Gjelbër Human kërkon mbylljen e kopshtit zoologjik në Maqedoni, duke e karakterizuar si vend torture për kafshët. Kjo kërkesë vjen pasi u hodhën gurë drejt elefantëve dhe hipopotamëve në Kopshtin Zoologjik, ndërsa një vajzë e re u ngjit në kafazin e majmunëve, transmeton Portalb.mk.
“E gjithë kjo është një shembull tipik kryesisht i dhunës së natyrshme që është e ngulitur, e shpërblyer dhe e dëshiruar në kapitalizëm si sistem ekonomik dhe shoqëror në atë masë sa ne as nuk e vërejmë atë (siç dëshmohet nga vetë ekzistenca e kopshteve zoologjike si një formë fitimprurëse argëtimi në të cilën kafshët e pafajshme vuajnë në skllavëri)”, thonë Qyteti i Gjelbër Human.
Ata kërkojnë që Kopshti Zoologjik të shndërrohet në qendër për ruajtjen dhe rehabilitimin e kafshëve indigjene të plagosura dhe të braktisura në territorin e vendit.
“QGJH mbështet mbylljen e menjëhershme të kopshteve zoologjike në Maqedoni si vende torture për kafshët dhe transformimin e tyre në qendra për ruajtjen dhe rehabilitimin, me qëllim që mizoria e kafazeve dhe trajtimi i kafshëve si objekte argëtimi të zëvendësohet me kujdesin për kafshët indigjene të lënduara dhe të braktisura në territorin e Maqedonisë, si dhe që qytetarët dhe më të rinjtë të lidhen me kafshët për të cilat Maqedonia është një habitat natyror. Le të kujtojmë se shenja e parë e psikopatisë është pikërisht dhuna ndaj kafshëve, dhe për këtë arsye zbulimi i hershëm nga stafi profesional dhe bashkëpunimi ndërinstitucional janë të nevojshëm për t’i ofruar ndihmë adekuate studentit dhe për të parandaluar, në skenarin më të keq, incidente me pasoja kërcënuese për jetën në të ardhmen”, thonë nga Qyteti i Gjelbër Human.

