Deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku, përmes një postimi publik ka renditur një sërë investimesh kapitale që, sipas tij, shënojnë një kthesë historike pas viteve të gjata pa zhvillim, përcjell Zyrtare.net.
Ai nënvizoi se një nga projektet kryesore është investimi prej 74 milionë eurosh për Spitalin Klinik në Tetovë, të cilin e cilësoi si ndërhyrje të shumëpritur në sektorin shëndetësor.
Qoku përmendi gjithashtu vendosjen e gurthemelit të kampusit të ri të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, një projekt prej 42 milionë eurosh që synon modernizimin e arsimit të lartë në vend.
Në listën e investimeve ai përfshiu edhe projektin e Korridorit 8, me vlerë rreth 1.7 miliard euro, si dhe nisjen e punimeve gjatë muajit maj për aksin rrugor Shkup – Bllacë, me një kosto prej rreth 240 milionë euro.
Sipas tij, rreth 300 milionë euro janë shpërndarë edhe për komunat me shumicë shqiptare për projekte kapitale, të cilat, siç theksoi, kanë qenë të lëna pas dore për vite me radhë.
Deputeti i VLEN-it kritikoi ashpër qeverisjet e kaluara të BDI-së, duke pretenduar se për më shumë se dy dekada kanë munguar investimet publike, ndërsa shtoi se rezultatet e VLEN-it në më pak se dy vite janë të pakrahasueshme me pesë mandate të kundërshtarëve politikë.
Në fund, Qoku akuzoi opozitën për, siç tha, përpjekje për të mbuluar dështimet dhe për t’u mbrojtur nga akuzat për korrupsion, duke shmangur debatin mbi projektet konkrete dhe investimet në terren.

