Në seancën e fundit qeveritare, Maqedonia e Veriut ka miratuar grantin e Bankës Evropiane për Investime në vlerë prej 3.7 milionë euro për ndërtimin e korridorit hekurudhor 8 në drejtim të Bullgarisë, transmeton Portalb.mk.
“Qeveria në mbledhje miratoi vendim për realizimin e Marrëveshjes për grant për mbështetje teknike në vlerë prej 3,7 milionë euro të siguruara nga Banka Evropiane e Investimeve”, raportoi Qeveria e Maqedonisë së Veriut, duke e vlerësusuar si prioritet të Qeverisë ndërtimin e hekurudhës së korridorit 8 dhe 10.
Ministri i transportit në Maqedoninë e Veriut, Aleksandar Nikollovski, së fundi u takua me homologun bullgar, Grozdan Karaxhov, ku së bashku me grupet punuese kanë konkretizuar aktivitet për fazën e tretë të hekurudhës nga Kriva Pallanka e deri në kufi me Bullgarinë, duke e përfshirë edhe ndërtimin e tunelit.
“Konsulenti i përzgjedhur në periudhën e ardhshme do të përgatisë dokumentacion të ri projektues, si dhe përgatitjen e procedurës së tenderit për zgjedhjen e realizuesit. Për të përshpejtuar aktivitetet, Ndërmarrja Publike për Infrastrukturë Hekurudhore do të nisë procedurën për zgjedhjen e Mbikëqyrjes së ndërtimit”, sqaruan nga Qeveria.
Korridori 8, i cili lidh Adriatikun me Detin e Zi përmes Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë, është pjesë e korridorit më të gjerë evropian të transportit Ballkani Perëndimor – Mesdheu Lindor dhe ka mbështetje të fortë nga Bashkimi Evropian.