Fitorja në zgjedhjet parlamentare por pa hyrë në pushtet, e rriti pakënaqësinë dhe frustrimin, që rezultoi me disfatën në garën për kryetarë komunash…
Nga Daut DAUTI
Në mjekësi është ajo shprehja e njohur “operacioni i suksesshëm, pacienti i vdekur”, që si metaforë shpesh përdoret më tepër jashtë mjekësisë. Pikërisht ky është rezultati përfundimtar i Frontit Evropian që i fitoi zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar dhe AKI-së (përbërje e modifikuar e Frontit) në zgjedhjet e sivjeme lokale, ku fitoi/dështoi njëkohësisht. Shkas për këtë analizë, është largimi i Aleancës Shqiptare të Zijadin Selës nga AKI, largimi i mëhershëm edhe i Menduh Thaçit dhe qëndrimet “diagnostifikuese” të tij dhe në përgjithësi, mosrealizimi i objektivit të AKI-së në këto zgjedhje lokale.
Së pari për SUKSESIN: BDI-ja, e ballafaquar vitin e kaluar me grupimin opozitar kundër vetes, iu kundërvu VLEN-it me të njëjtën mënyrë: me koalicionin Fronti Evropian ku u përfshinë parti të papajtueshme mes vete, PDSH-ja e Thaçit me Aleancën e Shqiptarëve të Selës dhe parti të vogla mëhallësh dhe parti të vogla komunitetesh të vogla. Pika-pika, bëhet shiu…, nga të gjitha ngapak, të mjaftueshme për peshoren e fitores. Qëllimi u arrit: Fronti doli fitues në përballje me partitë e VLEN-it, edhe pse këto të fundit, kur bëhej fjalë për legjitimitetin, ia kontestonin Frontit se te elektorati shqiptar ata e kanë legjitimitetin. Numrat, megjithatë, ishin në anën e koalicionit të prirë nga Ali Ahmeti.
Rruga për gjer në fitore, u tregua e suksesshme. Po ku çaloi strategjia BDI-së me Frontin?
Tek favorizoheshin nga anketat, më ka rënë të pyes aktivistë të BDI-së: ja, anketat thonë se do të fitoni? Po pastaj, si do të hyni në qeveri? Kjo pyetje nuk ishte e rastit, sepse shihej qartë se partia fituese në bllokun politik maqedonas do të jetë VMRO-ja, ndaj së cilës BDI-ja bënte fushatë tejet të ashpër. BDI-ja e cila më herët nuk është shquar për atë lloj fushate, që strategët e PR-it e quajnë “të zezë”, kësaj radhe me ngulm e kishte krijuar narrativin bardhe e zi se Partitë e Frontit (edhe LSDM-ja në betejën e vet paralele), ishin me orientim të qartë pro BE dhe pro NATO, ndërkaq e akuzonin VMRO-në dhe partitë e VLEN-it për orientim pro-rus (për shumëkë, kjo dhe sot e kësaj dite nuk duket larg së vërtetës!).
Pyetja ishte dy-tri kuptimëshe: e para, si do të hyjë vetë BDI-ja dhe Fronti në një qeveri me një forcë proruse? E dyta, a do ta pranojë VMRO-ja një grupim forcash(Frontin), e cila në fushatë e ka akuzuar si proruse?
Kishte dhe një të tretë, që si tezë e kam ndarë me shumëkënd, se VMRO-ja, në momentin e parë që do të ishte në pozitë, do t’i hakmerrej BDI-së për shkak se e pat lënë VMRO-në në opozitë, edhe pse herën e parë i kishte fituar zgjedhjet në bllokun maqedonas. Zaten, kjo dhe u dëshmua si e vërtetë.
Në anën tjetër, fitorja pa pushtet, do të ishte frustruese për ato parti që iu bashkëngjitën BDI-së, pikërisht për të hyrë në qeveri, diç që dukej që më parë mision i pamundur. Mu për këtë, Thaçi jofalënderues që BDI-ja i siguroi dy mandate në kuadër të Frontit, i pari do ta braktisë, duke u mbajtur një kohë të gjatë edhe asnjanës. Dhe tash që flet me zë të lartë vetëm tregon për moralin politik të tij se sa të Ali Ahmetit të cilin e akuzon për gjithçka. Aspak s’ka qenë më i lumtur as Zijadin Sela për të hyrë në Front(e bëri i fundit), por zotimi se Fronti nuk është koalicion me një mision, por më afatgjatë, sigurisht i ka dhënë shpresë Aleancës që në zgjedhjet lokale do të vijë satisfaksioni i vërtetë.
Rruga e njëjtë si me Frontin, u provua me Aleancën Kombëtare për Integrim (AKI), kësaj radhe të dobësuar pa PDSH-në por të përforcuar me Aleancën e Arben Taravarit. Objektivi që votimi për pushtetin lokal të shndërrohet në referendum, pothuajse u arrit për pak, duke fituar më shumë vota për këshilltarë, por e gjithë kjo ishte një “fitore e Piros”, pasi me rrethin e dytë, BDI-ja dhe AKI-ja mbeti pa asnjë komunë të rëndësishme! Jo vetëm që BDI-ja mbeti duarbosh, pa Tetovën, Çairin e Kërçovën, duarbosh mbeti edhe Sela, që humbi Strugën e tij dhe komunat tjera të planifikuara si të sigurta. Edhe më shumë dështoi në ambiciet e tij Arben Taravari, i cili nuk arriti të sigurojë census në Gostivarin e tij dhe nuk fitoi asnjë komunë! Patjetër është e madhe kjo katastrofë zgjedhore për Taravarin, të cilit partitë e VLEN-it i kishin ofruar po të njëjtat komuna, të cilat sigurisht do t’i kishte fituar me inercinë e fitores paraprake në zgjedhjet lokale.
Heterogjenia në njërën anë dhe mospërputhja “e karaktereve” të liderëve të dy aleancave në kuadër të AKI-së, plus inercia e rënies pas zgjedhjeve parlamentare, dhe përdorimi i të gjitha resurseve të pushtetit, ku për mposhtjen e BDI-së dhe partive tjera në koalicion me të, VMRO-ja sikur e kishte shpallur kauzë kombëtare deklasimin e BDI-së me gjithë arritjet e saj, mbetja jashtë pushtetit, shthurja e kompaktësisë nga ikja e shumë anëtarëve interesxhinj, janë faktorë penalizues në zgjedhjet lokale.
Largimi më parë i Thaçit dhe gatishmëria për të biseduar edhe për hyrje në qeveri, largimi i Selës për të vepruar në mënyrë të pavarur, sikur për të dalë nga hija e dy koalicioneve që nuk i sollën pozicionet që ka pritur, ardhmëria e paqartë e Aleancës së Taravarit, na japim atë pamje të zymtë, më të zymtë se kjo vjeshtë që si në “Gjeneralin…” e Kadaresë bie vazhdimisht, për t’ua ngrysur edhe më shumë jetën e tyre në kërkim të eshtrave plot absurd.
Bravo për prokurorinë, turp për avokatët që i mbrojnë të akuzuarit për zjarrin në Koçan!
Kështu disa familjarë të viktimave të zjarrit në diskotekën e Koçanit, e komentuan fillimin e gjykimit të 30 e sa të akuzuarve. Dhembja e tyre është e madhe dhe mund të kuptohet vreri ngapak irracional ndaj atyre që e kanë për detyrë të mbrojnë edhe kriminelët më të mëdhenj.
Për një tragjedi si kjo, fajtorët duhet ta marrin dënimin e merituar dhe për këtë mund të mos u mjaftojnë gjithë avokatët e botës. Por ka një gjë, që për shkak të emocioneve familjarët nuk janë në gjendje të gjykojnë dejtë: në mesin e dhjetëra të dyshuarve, mund të jenë edhe njerëz pa pikë faji, sidomos ky dyshim është pas shumë kritikave se u bë një fushatë ku u përfshinë të fajshëm e të pafajshëm. Plus kësaj, kur fajësinë Prokurori e locon si “çështje sistemore”, kjo është një fushë e gjerë manipulimi, ku gjithkush që është pjesë e sistemit mund të shpallet fajtor! Ndërkaq gjërat janë më konkrete se sa dikush i komplikon: Ka një shkak-pasojë të drejtpërdrejtë dhe aty nuk mund të përfshihet i gjithë shteti! Prandaj dhe avokatët janë në gjykatore, për të mbrojtur ata të akuzuar që ndoshta s’kanë as erë as shi nga faji për zjarrin.
Në Shqipëri kanë ndodhur disa skandale mediatike, dy herë për shkak të Goran Bregoviqit (Edi Rama ia dha Çelësin e Tiranës dhe pastaj, pas shumë vitesh, mbajti një koncert në Korçë) dhe një herë për shkak të Zdravko Çoliqit(ndoshta ka pas dhe të tjerë që s’më kujtohen.) Reagimet sidomos kanë qenë nga Kosova përse t’u bëhet nder personave të tillë me bekgraund nacionalist. Sulmi për Goran Bregoviqin erdhi nga Kosova, por atje edhe e morën në mbrojtje disa këngëtarë, pasi ai kishte bërë këngë shqip me “Bjelo dugmen”. Edhe më pak kishte Çoliqi ndonjë njollë në biografi, i cili asnjëherë nuk është shquar me aktivitete politike, por ka shikuar punën e tij, duke qenë këngëtari më i popullarizuar i ish-Jugosllavisë.
Kështu do të duhej të ishte çështja edhe me Kaliopin, të cilën Ardit Gjebrea si duket e ka pikë të dobët dhe shpesh e thërret në festivalin Kënga Magjike. Nuk duhet të kemi ndonjë paragjykim të natyrës etnike, përkundrazi, këmbimin e vlerave e konsideroj si mënyrën më të mirë të komunikimit midis popujve. Kaliopi si këngëtare, është një vokal i shkëlqyeshëm dhe me një karrierë të pasur artistike, maja në muzikën maqedonase. Me gjithë karrierën e pasur artistike, në kontekstin e mësipërm, ka diçka që ndoshta është mirë ta dijë Ardit Gjebreja. Kur u kthye Johan Tarçullovski nga Haga, pas vuajtjes së dënimit për vrasjen e civilëve shqiptarë në Lubeten, Kaliopi iu bashkëngjit disa këngëtarëve maqedonas për ta pritur me këngë “heroin”. Mund ta respektoj si këngëtare edhe më tutje, por këtë gjest të saj vështirë mund ta kapërdij…Edhe Gjebreja, ndoshta nuk e di këtë fakt, nuk i zë faj. Ndoshta gjesti i saj mund të merret në kuadër të ndasive etnike që kemi ndaj gjërave të shtetit tonë, kur dikush e quan hero, e të tjerët kriminel dikë, dhe kurrkujt kurrgjë, jeta vazhdon, ama…megjithatë, u vranë civilë dhe për këtë dikush qe shpallur fajtor nga një gjykatë kredibile asnjëanëse.
(Autori është kolumnist i gazetës KOHA)

