Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit ka dhënë pëlqimin që t’i hiqet masa e paraburgimit Asmir Jahoskit, i cili është i dyshuar për pastrim parash në hetimin lidhur me furnizimet me mazut për kompaninë shtetërore EMV dhe TEC Negotinë.
Jahoski është pronar i kompanisë “Pucko Petrol” dhe djali i deputetit të BDI-së, Ismail Jahoski. Prokuroria ka pranuar garancinë e ofruar nga Jahoski, e cila përfshin prona të paluajtshme me vlerë rreth një milion euro dhe mjete monetare të depozituara në llogari në vlerë prej rreth 1.15 milionë euro.
“Sipas provave që ka në dispozicion Prokuroria, shuma prej 72 milionë denarësh përfaqëson përfitimin pasuror të kundërligjshëm nga ana e të dyshuarit, dhe në procedurën e mëtejshme kjo shumë mund të shërbejë për mbulimin e një kërkese të mundshme për dëmshpërblim ndaj tij”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Prokuroria pranon garancinë prej 2.15 milionë euro, kërkon shfuqizimin e paraburgimit për Asmir Jahoskin nga “Pucko Petrol”
