Policia e Kosovës ka ushtruar kallëzim penal ndaj një personi që pretendohet se pati tentuar t’i korruptonte dy gjyqtarët grekë të basketbollit, Dimitros Zacharis dhe Anastasios Kardaris për të kurdisur ndeshjen gjysmëfinale të plejofit Sigal Prishtina – Trepça, e zhvilluar në prill të vitit 2023.
Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk ka dhënë shumë detaje, por ka pohuar se ka pranuar kallëzimin penal.
“Çështjes së cilës i referoheni ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë e ka pranuar kallëzimin penal dhe e ka në trajtim rastin në fjalë”, thuhet në përgjigjen me shkrim për KOHËN nga Laureta Ulaj, zyrtare për informim dhe monitorim të mediave të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
KOHA i është drejtuar me pyetje edhe zyrës për media të Policisë së Kosovës, por nuk ka pranuar ende përgjigje.
Burime të KOHËS nga Prokuroria Themelore e Prishtinës kanë bërë të ditur se ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari ishte takuar me dy gjyqtarët e basketbollit në mesnatën e 20 prillit me qëllim që ata ta ndihmojnë Trepçën. I dyshuari, sipas burimeve, nuk është pjesë e klubeve të basketbollit.
Para se të caktoheshin për të ndarë drejtësi në ndeshjen Sigal Prishtina – Trepça, dy gjyqtarët grekë dhe një gjyqtar kosovar i basketbollit drejtuan ndeshjen ndërmjet Pejës e Yllit.
Nga Federata e Basketbollit e Kosovës patën pranuar se gjyqtarët kishin takim të paautorizuar me një person dhe për këtë i ndryshuan ata. Kishte dyshime se oferta ishte bërë edhe për përfitime ilegale përmes bastoreve.
Sigal Prishtina pati pretenduar se zbuloi skandalin më të madh në histori të basketbollit kosovar dhe se e ka parandaluar dëmin e madh sportiv.
Prishtina pati shkruar se posedon incizime se një person ka futur në veturën e tij gjyqtarët grekë dhe u ka ofruar ryshfet për manipulim të ndeshjes në favor të Trepçës. Sipas Prishtinës, gjyqtarët grekë e kanë pranuar ngjarjen.
Pas zhvillimeve, Kardaris e Zacharis u kthyen në vendin e tyre dhe ndeshjen në Prishtinë e drejtuan tre gjyqtarë vendorë.
Me deklaratë pati dalë edhe Trepça duke mohuar fuqishëm përfshirjen.
Me t’u kthyer në vendlindje, gjyqtarët grekë patën kërkuar pushim për shkak të stresit, përkatësisht për shkak të rastit në Kosovë.
Rasti ka mbetur disi në harresë, por organet e hetuesisë kanë vazhduar punën dhe tani mund të ketë punë për prokurorinë.
Vitin e kaluar, Arbnor Rifati dhe gjyqtari i basketbollit Daut Mehmeti ishin arrestuar me akuzën se ishin të përfshirë në rregullimin e ndeshjeve të basketbollit. Por u liruan shpejt. Arbitri Daut Mehmeti është i suspenduar përjetë nga FIBA, ndërsa Rifati vazhdon të ushtrojë funksion në klubin e basketbollit, Proton Cable Prizreni.