Disa qytetarë të Shkupit janë rrëzuar në mëngjes për shkak të trotuareve të pa pastruara nga bora, e cila ka nisur të pastrohet vetëm në mesditë.
Ata ankohen për mungesën e reagimit të shpejtë të institucioneve dhe kërkojnë masa më të hershme për pastrimin e borës, duke theksuar rëndësinë e një angazhimi më të mirë të të gjithë qytetarëve. Ndryshe, kjo është bora e parë që shkupjanët pas 3 viteve po e shijojnë.
“Para selisë së Vmro-së 3 herë kam rrëshqitur, ishte e ngrirë dhe rrëshqitke. Higjiena komunale po e bën punën e saj por këto për këmbësorët nuk janë të pastruara. Institucionet në kohë duhet të marrin masa tani është vonë, duhet më herët, mendoj në mëngjes herët të pastrohen, ashtu siç punohet në perendim, nuk duhet të punohet tani në 12, sidomos aty ku janë qendrat, nuk janë pastruar qendrat, asnjë qendër nuk është pastruar, asnjë vend publik nuk është pastruar”, tha ky qytetar.
“Në pengesa jo! Jam e lumtur me borën, pastroj, ka sjellë një freski të bukur. Pengesat si zakonisht. Së pari institucionet pastaj të na thërrasin edhe neve, por tek ne nëse institucionet e shmangin, vetëdija jonë… sepse këtë e bëjmë për ne dhe për të gjithë ne”, tha një qytetare tjetër.
“Sa më shpejtë duhet të merren masa, shumë punë ka që nuk janë si duhet. Që të bëhet gjithçka në rregull duhet kohë dhe kulturë, nëse nuk ka kulturë dhe sjellje te çdo qytetar”, kërkon ky qytetar.
“Automjetet që i pastrojnë rrugët e hedhin borën në trotuare, dhe për këtë këmbësorët janë më të rrezikuar”, kërkon ky qytetar. (Tv21)