Deputetët në Hungari sot pritet të votojnë për një amendament kushtetues kontrovers, që aktivistët për të drejtat e njeriut e kanë përshkruar si një përshkallëzim serioz në përpjekjet e qeverisë për të shtypur mospajtimin dhe për të kufizuar më tej të drejtat e njeriut.
Amendamenti, i mbështetur nga kryeministri Viktor Orban dhe partia e tij populiste e djathtë Fidesz, synon ta përfshijë në kushtetutë ndalimin e fundit të organizimit të paradës “Pride”, duke i lejuar autoritetet të përdorin softuer për njohjen e fytyrës për të identifikuar pjesëmarrësit dhe potencialisht për t’i ndëshkuar ata.
Sipas qeverisë, amendamenti synon të mbrojë zhvillimin fizik, mendor dhe moral të fëmijëve dhe të njohë kushtetuesisht ekzistencën e vetëm dy gjinive, duke hapur rrugë për mohimin e identiteteve gjinore nga disa qytetarë në Hungari, shkruan “The Guardian”.
Pasi Orban ka pohuar vazhdimisht se të huajt po ndërhyjnë në politikën hungareze, amendamenti kushtetues përfshin edhe mundësinë për pezullimin e përkohshëm të shtetësisë hungareze për personat me shtetësi të dyfishtë, për të cilët autoritetet vlerësojnë se paraqesin kërcënim për sigurinë apo sovranitetin e vendit.
Komiteti Hungarez i Helsinkit, një shoqatë për të drejtat e njeriut, e ka përshkruar amendamentin si një mënyrë për të përhapur ligjërisht frikën në një shtet anëtar të BE-së.
“Këto ligje përfaqësojnë një përshkallëzim serioz në përpjekjet e qeverisë për të shtypur mospajtimin, për të dobësuar mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe për të forcuar sundimin e saj,” thuhet në deklaratë. Partia opozitare Momentum paralajmëroi për ngjashmëri me kufizimet në Rusi.
Ashtu si Vladimir Putin, Orban po përpiqet të paraqitet si mbrojtës i vlerave tradicionale familjare, duke miratuar masa të tilla si ndalimi i birësimit të fëmijëve nga çiftet të së njëjtës gjini dhe përjashtimi i temave LGBTQ+ nga programet shkollore.
Momentum përmes rrjeteve sociale u ka bërë thirrje qytetarëve t’u bashkohen në bllokimin e sotëm të ndërtesës së Parlamentit, në përpjekje për të ndaluar votimin e ligjit. “Le t’i ndalojmë së bashku që të mos ndjekin rrugën e Putinit dhe të na marrin lirinë,” thanë ata.
Amendamenti kushtetues pritet të miratohet pothuajse një muaj pasi deputetët përshpejtuan miratimin e ligjit që ndalon ngjarjet publike LGBTQ+. Që atëherë, mijëra njerëz kanë protestuar nëpër rrugë, duke bllokuar ura dhe rrugë kryesore me parulla si “demokraci” dhe “mbledhja është e drejtë themelore”.
Orban dhe qeveria e tij pretendojnë se qëllimi i tyre është mbrojtja e fëmijëve nga ajo që ata e quajnë “propagandë seksuale”, por analistët thonë se kjo është një strategji elektorale ku komuniteti LGBTQ+ përdoret si viktimë për të mobilizuar elektoratin konservator.
Pas publikimit të lajmit për ndalimin e Paradës së Krenarisë muajin e kaluar, 22 ambasada evropiane në Hungari – përfshirë ato britanike, franceze dhe gjermane – publikuan një deklaratë të përbashkët, duke shprehur shqetësim të thellë se ligji mund të kufizojë të drejtën për tubim paqësor dhe lirinë e shprehjes.
Komisionarja për barazi e BE-së, Hadja Lahbib, gjithashtu reagoi në rrjete sociale.
“Të gjithë duhet të kenë të drejtë të jenë ata që janë, të jetojnë dhe të duan lirshëm. E drejta për tubim paqësor është një e drejtë themelore që duhet të mbrohet në gjithë Bashkimin Evropian. Ne qëndrojmë në krah të komunitetit LGBTQ+ në Hungari dhe në të gjitha shtetet anëtare,” tha ajo.
Organizatorët e Budapest Pride, i cili rregullisht mbledh dhjetëra mijëra njerëz, thanë se pavarësisht gjithçkaje, planifikojnë që parada e sivjetme të mbahet më 28 qershor. “Kjo nuk është mbrojtje e fëmijëve, kjo është fashizëm,” thanë muajin e kaluar.
Komiteti Hungarez i Helsinkit, Bashkimi Hungarez për Liritë Civile, Amnesty International dhe shoqata Hatter i bënë thirrje Komisionit Evropian të nisë procedurë kundër qeverisë hungareze, duke argumentuar se ndryshimet e fundit shkelin të drejtën e Bashkimit Evropian.
Në një deklaratë të përbashkët, ata paralajmëruan për seriozitetin dhe urgjencën e pasojave që do të sjellin ndryshimet e miratuara, duke theksuar se ato do t’i përjashtojnë tërësisht personat LGBTQ+ nga hapësira publike. Besohet se kjo ndalesë kombëtare është e para e këtij lloji në historinë moderne të BE-së.
Shoqatat theksuan gjithashtu se amendamenti nuk ka të bëjë vetëm me komunitetin LGBTQ+ dhe aleatët e tyre, por është një mjet për të përhapur frikë tek çdo qytetar që guxon të kritikojë qeverinë. “Këto ndryshime kanë pasoja të gjera që prekin të drejtat themelore, shumë përtej çështjes së paradës,” thuhet në deklaratë.