Palestinezët përkujtojnë 76-vjetorin e “Nakba”-s në Bregun Perëndimor

4 Min. Leximi

Kuds

Në qytetin Ramallah të Bregun Perëndimor të pushtuar, palestinezët zhvilluan një marshim për të përkujtuar “Nakba-n” (Katastrofën e Madhe) kur Izraeli shpalli pavarësinë në territoret e pushtuara palestineze më 14 maj 1948 dhe në të cilën i vendosi palestinezët përballë migrimit të detyruar, raporton Anadolu.

- Advertisement -

Mijëra palestinezë, shumica e të cilëve të veshur me rroba të zeza, u mblodhën në varrin e liderit historik të vendit të tyre, Jaser Arafat në Ramallah, si reagim ndaj sulmit të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës i cili ka shkaktuar një fatkeqësi humanitare.

Në marshimin ku morën pjesë mijëra persona të cilët mbanin flamurin e Palestinës, disa prej palestinezëve mbajtën në duar thasë të lyer me ngjyrën e gjakut, foshnje të mbështjellë me qefin si dhe flamuj të zinj, për të përkujtuar bashkëqytetarët e tyre të cilët janë vrarë gjatë përpjekjeve të tyre për të arritur në ndihmën humanitare në Rripin e Gazës.

Palestinezët marshuan nga varri i Arafatit e deri në sheshin “Manara” në qytet. Në shesh, në orën 13:00 me kohën lokale, sirenat ranë për 76 sekonda për të shënuar 76-vjetorin e “Nakba”-s dhe palestinezët ngritën duart në shenjë fitoreje dhe mbajtën një minutë heshtje.

Duke folur në protestë, nënkryetari i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (PLO) Mahmoud al-Aloul tha se pushtimi izraelit është përpjekur ta gjunjëzojë popullin palestinez për 76 vjet, por palestinezët mbeten të përkushtuar ndaj tokës dhe të drejtave të tyre.

- Advertisement -

Duke thënë se Izraeli sot në Rripin e Gazës “ka ndërmarrë një gjenocid më të pamëshirshëm” se Nakba, Al-Aloul shtoi se Izraeli, me mbështetjen politike dhe ushtarake të SHBA-së, “është përpjekur ta zgjidhë çështjen e Palestinës me forcë, por nuk ka marrë mësim nga historia”.

Ragad Abbasi (19), e cila ka studiuar Drejtësi në Universitetin Birzeit dhe ka marrë pjesë në demonstratë në një deklaratë për gazetarin e AA-së tha se Nakba vazhdon ende për palestinezët dhe se të njëjtat praktika të vitin 1948 po përjetohen edhe sot në Gaza.

Duke thënë se paraardhësit e tyre u internuan në vitin 1948 nga fshati Abbasiye në Jaffa i cili sot ka mbetur brenda Izraelit dhe se këto ngjarje ia ka treguar gjyshja, Abbasi shtoi se “Është e pamundur që ky brez të harrojë atë që ndodhi në 1948, Palestinën dhe Nakba-n”.

“Edhe solidariteti më i vogël për Palestinën, pavarësisht se nga kush vjen në të gjithë botën, ai është shumë i vlefshëm për lirinë e Palestinës”, tha ajo.

Emced en-Necci (19), i cili studion në Fakultetin e Shtypit dhe Komunikimit në Ramallah tha se Nakba që kanë jetuar paraardhësit e tij vlen edhe për ta sot dhe se nuk është e mundur që ta harrojnë këtë ngjarje, pavarësisht 76 viteve që kanë kaluar.

Duke thënë se pushtimi izraelit “është brutal dhe se nuk do të heqin dorë nga kauzat e tyre pavarësisht se i vret dhe i dëbon palestinezët nga toka e tyre” Necci vuri në dukje se ata presin solidaritet nga të gjithë, përfshirë vendet arabe.

Palestinezët e përkujtojnë 15 majin si “Nakba” (Katastrofa e Madhe) kur Izraeli shpalli pavarësinë në tokat e pushtuara palestineze më 14 maj 1948 dhe i vendosi palestinezët përballë migrimit të detyruar.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull