Orhan Murtezani emërohet ambasadori i parë shqiptar në NATO

2 Min. Leximi

Ish-ministri për Çështje Evropiane dhe një nga përfaqësuesit e VLEN-it, Orhan Murtezani, ka prezantuar para Komisionit për Politikë të Jashtme në Kuvend prioritetet dhe vizionin e tij për mandatin si ambasador i Maqedonisë së Veriut në NATO, duke shënuar kështu një moment të rëndësishëm për përfaqësimin e shqiptarëve në diplomacinë shtetërore.

Me këtë emërim, Murtezani pritet të bëhet ambasadori i parë shqiptar nga Maqedonia e Veriut në selinë e NATO-s, një zhvillim që konsiderohet si një hap i rëndësishëm në avancimin e përfaqësimit të shqiptarëve në pozicionet më të larta të politikës së jashtme dhe sigurisë së vendit.

Përmes një postimi publik, Murtezani bëri të ditur se para deputetëve ka prezantuar prioritetet dhe objektivat e mandatit të tij të ardhshëm.

“Sot, para Komisionit për Politikë të Jashtme në Kuvend, prezantova prioritetet dhe vizionin për mandatin tim si ambasador i Maqedonisë së Veriut në NATO”, ka shkruar Murtezani.

Ai shprehu mirënjohje ndaj anëtarëve të Komisionit për diskutimin konstruktiv dhe mbështetjen e dhënë, duke theksuar se në një periudhë sfidash serioze gjeopolitike, vendi duhet të vazhdojë të veprojë si një aleat i besueshëm dhe i përgjegjshëm brenda Aleancës.

Murtezani u zotua se do të angazhohet për një kontribut aktiv të Maqedonisë së Veriut në sigurinë e përbashkët, ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë, si dhe në forcimin e partneritetit transatlantik.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull