Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, ka njoftuar sot se është arritur marrëveshja për përfundimin e bulevardit “Boris Trajkovski”, një nga akset më kyçe të trafikut në kryeqytet, që prej vitesh ka mbetur i papërfunduar.
“Me kënaqësi të sinqertë ndaj lajmin që me vite e prisnin më shumë se 100,000 banorë që e përdorin çdo ditë këtë bulevard”, tha Gjorgjievski, duke theksuar se pas takimit me pronarët e bizneseve përgjatë traseve është arritur marrëveshje për “zbatimin e shpejtuar të shpronësimit, një proces që në të kaluarën kishte mbetur i papërfunduar”.
Ai shtoi se kjo hap rrugën për realizimin e një projekti të pritur prej kohësh, i cili për shumë vite ka mbetur peng i burokracisë.
“Ky bulevard ishte bllokuar shumë gjatë nga paraardhësit e mi, duke u kthyer në një ‘Golgotës’ për mijëra qytetarë. Ajo periudhë merr fund”, tha Gjorgjievski.
Sipas tij, së shpejti do të shpallet prokurimi publik dhe ndërtimi pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti kalendarik. Ai shpjegoi se “ata 850 metra të ‘Golgotës’, nga nënstacioni elektrik në Pinti deri te rrethrrotullimi në Draçevë, i takojnë të kaluarës”.
Në vend të tyre, do të ndërtohet një bulevard modern me katër korsi dhe shteg të sigurt për këmbësorë dhe çiklistë.
“Populli im meriton siguri, lëvizje dinjitoze dhe infrastrukturë moderne”, tha kryetari i qytetit.
“Jam i vetëdijshëm për trafikun e përditshëm, pasigurinë, pluhurin, dëmtimin e automjeteve, kohën e humbur dhe nervozizmin që sjell një zgjidhje e papërfunduar. Por sot po ndryshojmë gjërat!”, është shprehur ai.
Gjorgjievski iu bëri thirrje qytetarëve për durim derisa të përfundojnë aktivitetet ndërtimore: “Ju kërkoj edhe pak durim derisa të zgjasin aktivitetet ndërtimore”.

