Pas nëntë vitesh procedurash dhe vonesash, në Shkup ka nisur ndërtimi i linjës strategjike nëntokësore optike që do të lidhë Njësinë Transformuese në Gjorçe Petrov me drejtorinë e MEPSO-s dhe Termocentralin TETO.
Projekti përfshin ndërtimin e një linje optike 12-kilometërshe dhe konsiderohet si një ndër investimet më të rëndësishme për sigurinë dhe modernizimin e sistemit energjetik në vend. Sipas drejtorit të Sh.A. MEPSO, Burim Latifi, përfitimet nga ky projekt do të jenë të shumta:
- Siguri e rritur kibernetike dhe operative,
- Shkëputje nga varësia ndaj operatorëve privatë të komunikimit,
- Kursime vjetore deri në 25 mijë euro,
- Baza për një infrastrukturë digjitale moderne në sektorin energjetik.
Sipas paralajmërimeve, përfundimi i punimeve pritet në mars të vitit 2026. “Kjo nuk është vetëm një linjë teknologjike, por një hap i rëndësishëm drejt një Maqedonie më të sigurt, të pavarur dhe të përgatitur teknologjikisht,” theksoi Latifi.
Ky projekt shënon një moment kyç në përpjekjet për zhvillimin e një infrastrukture të qëndrueshme dhe të sigurt energjetike në Maqedoninë e Veriut.