Për afro 350 mijë euro është shitur pakoja prej 77.414 aksionesh të ngrohtores “Shkup-Veri”, që paraqet 99.98 për qind të kapitalit aksionar të kompanisë.
Ato janë blerë me çmim prej 278 denarë për një aksion, në bllok transaksion në Bursën e Maqedonisë. Shuma totale është 21.521.092 denarë. Të dhënat janë nga lista zyrtare ditore e tregut të aksioneve.
Dihet se shitësi “Toplifikacija SHA Shkup” është në falimentim dhe paratë nga ankandi publik i aksioneve të iniciuar nga Banka Komerciale do të bëhen pjesë e pasurisë së falimentimit, e cila do të shpërndahet ndërmjet kreditorëve. Aksionet u blenë me çmimin fillestar të parashikuar.
Ngrohtorja u shit në tentativën e tretë. Në shtator të vitit të kaluar është ofruar në shitje për 605 mijë euro. Ndërsa një vit më parë ishte futur në bursë për rreth 980 mijë euro.
Ngrohtorja furnizon me energji termike rreth 500 amvisëri, por ngroh edhe shkollat dhe institucionet tjera në rajonin e Çairit dhe Butelit.