Nga 29 tetori, patentë shoferi dhe letërnjoftimi në telefon përmes “m.Shërbime”

1 Min. Leximi

Ministria e Transformimit Digjital do ta promovojë më 28 tetor aplikacionin kombëtar mobil “m.Shërbime”, përmes të cilit qytetarët do të mund të kenë qasje në dokumente elektronike dhe shërbime shtetërore direkt nga telefoni, përcjell TV21.

Ministri Stefan Andonovski tha se aplikacioni do të jetë falas dhe përdorimi i tij nuk do të jetë i detyrueshëm. Në versionin e parë do të jenë të disponueshme versionet elektronike të letërnjoftimit dhe patentë-shoferit, si dhe shërbime për vërtetimin e stazhit dhe qasjen në të dhënat personale.
Sipas Andonovskit, dokumentet digjitale do të lidhen me një mekanizëm të sigurt për identifikim elektronik, që mundëson verifikimin e autenticitetit dhe vlefshmërisë së tyre në kohë reale.

Aplikacioni është zhvilluar me mbështetjen e Bashkimit Evropian, Këshillit të Lisbonës, Polonisë dhe Ukrainës, me vlerë mbi 1.5 milionë euro. “m.Shërbime” do të jetë në dispozicion në Play Store dhe App Store nga 29 tetori.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull