Presidenti kinez, Xi Jinping, ka deklaruar se dera e Kinës për bizneset amerikane do të “hapet” edhe më shumë, pasi u takua me drejtues të mëdhenj të kompanive amerikane në Pekin gjatë një samiti me presidentin amerikan, Donald Trump, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Xinhua, Trump i prezantoi homologut të tij kinez liderët e biznesit që e shoqëronin, teksa Xi priti delegacionin amerikan në Sallën e Madhe të Popullit, ndërtesa ceremoniale shtetërore e Kinës.
Delegacioni amerikan i biznesit që shoqëron Trumpin përfshin Jensen Huang të Nvidia-s, Elon Musk të Tesla-s, Tim Cook të Apple-it, Larry Fink të BlackRock-ut, Stephen Schwarzman të Blackstone-it, Kelly Ortberg të Boeing-ut, Brian Sikes të Cargill-it, Jane Fraser të Citigroup-it, Larry Culp të GE Aerospace, David Solomon të Goldman Sachs, Sanjay Mehrotra të Micron-it dhe Cristiano Amon të Qualcomm-it.
Liderët e biznesit shprehën shpresën për të thelluar operacionet e tyre në Kinë dhe për të forcuar bashkëpunimin me vendin.
Presidenti kinez tha se kompanitë amerikane kanë qenë thellësisht të përfshira në reformën dhe hapjen e Kinës dhe se të dyja palët kanë përfituar nga kjo marrëdhënie.
Xi tha se dera e Kinës për t’u hapur “vetëm do të hapet më shumë” dhe vendi mirëpret SHBA-në për të forcuar bashkëpunimin me përfitim të ndërsjellë me Kinën, duke shtuar se beson që kompanitë amerikane do të kenë perspektiva më të gjera në tregun kinez.
Para se të fluturonte për në Pekin, presidenti amerikan tha se do t’i bënte homologut të tij kinez “kërkesën e tij të parë” për ta “hapur” Kinën ndaj biznesit amerikan.
Tregtia dypalëshe mes dy vendeve arriti në rreth 414.7 miliardë dollarë në vitin 2025.

