Në PE nis iniciativa për t’i pezulluar Hungarisë të drejtën e votës

2 Min. Leximi

Në Parlamentin Evropian nisi një iniciativë për t’iu kërkuar organeve përgjegjëse të Bashkimit Evropian, që t’ia pezullojnë Hungarisë të drejtën e votës, për shkak të veprimevetë fundit të kryeministrit të këtij vendi, Viktor Orban.

Riho Terras, përfaqësues në PE nga grupi më i madh politik, Partia Popullore Evropiane, u dërgoi një letër të gjithë deputetëve evropianë, duke kërkuar mbështetjen e tyre.

- Advertisement -

Të njëjtën do t’ia dërgojë edhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, dhe presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola.

- Advertisement -

“Presidenca hungareze sapo ka filluar dhe kryeministri Orban ka shkaktuar tashmë dëme të konsiderueshme, duke abuzuar me rolin e Presidencës së Këshillit. Në misionin e tij të ashtuquajtur paqeruajtës, ai qëllimisht ka krijuar përshtypjen se vepron në emër të të gjithë Bashkimit Evropian, ndërkohë që, në realitet, ai nuk ka asnjë autoritet ta përfaqësojë BE-në apo ndonjë shtet tjetër anëtar të BE-së, përveç të vetit”, thuhet në letrën që pa Radio Evropa e Lirë.

Shkak për këtë letër u bënë vizitat e Orbanit në Ukrainë, Rusi dhe Kinë, në ditët e para të këtij muaji.

Orban u takua edhe me presidentin rus, Vladimir Putin, në Moskë – veprim ky që u dënua nga të gjithë aktorët kryesorë të BE-së.

Hungaria mori presidencën gjashtëmujore të Bashkimit Evropian nga 1 korriku.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull