Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në New York, transmeton Anadolu.
Kurti nëpërmjet rrjeteve sociale njoftoi se e ka falënderuar presidentin Erdogan për mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë përgjatë gjithë etapave të ndërtimit të shtetit të Kosovës, zhvillimit të tij, në diplomaci sikurse edhe për fuqizimin ushtarak, bashkëpunimin në vënien e themeleve të industrisë kosovare të mbrojtjes dhe përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
“Kosova me Turqinë kanë vazhduar forcimin dhe rritjen tregtare me ç’rast ato arrijnë në vlerën prej 1 miliard dollarësh me synimin që të rriten më shumë në të ardhmen. Po ashtu, janë rritur edhe investimet në Kosovë ku së fundmi kemi nisjen e fabrikës së re të municionit në Gjakovë dhe Parkun e Energjisë së Erës në Rahovec që janë në bashkëpunim me kompani nga Turqia”, tha Kurti.
Ai bëri të ditur se gjatë takimit me presidentin Erdogan ka diskutuar edhe për “aktgjykimin e padrejtë juridikisht dhe moralisht dhe të pasaktë historikisht dhe faktikisht” të shpallur javën e kaluar nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, e që siç tha Kurti “patjetër duhet të korrigjohet në Apel”.
Kurti tha se po ashtu shprehu mirënjohje për rolin shumëvjeçar të Turqisë në KFOR dhe për kontributin e rëndësishëm që ajo vazhdon të ketë për sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë, duke theksuar profesionalizmin e gjeneralmajorit Ozkan Ulutas gjatë dy mandateve të tij si komandant i forcës së NATO-s në Kosovë.
Kryeministri kosovar nënvizoi se në këtë takim së bashku me kryetaren e Preshevës, Ardita Sinani ngritën për diskutim edhe çështjen e diskriminimit të vazhdueshëm dhe sistematik i shtetit të Serbisë ndaj komunitetit shqiptar atje, nga pasivizimi i adresave, mosnjohja e diplomave e nënpërfaqësimi në secilin institucion shtetëror atje. Me këtë rast, Kurti tha se “simetria e të drejtave të komuniteteve në vendet tona përkatëse është qasja dhe mënyra e domosdoshme për trajtim të drejtë dhe barabartë”.
Në fund, Kurti shprehu bindjen se Kosova dhe Turqia do të vazhdojnë të thellojnë marrëdhëniet miqësore, sikurse do të rrisin e forcojnë edhe relacionet ekonomike dhe tregtare.

