Kalimi në dritën e kuqe, përveç gjobës prej 300 euro, në të ardhmen do të ndëshkohet edhe me heqjen e lejes së vozitjes për të paktën 3 muaj. Me këtë, Maqedonia e Veriut do të jetë një nga vendet europiane me dënimet më të rënda për këtë shkelje.
Norvegjia ka dënimet më të rënda në Europë për kalimin në dritën e kuqe, me një gjobë minimale prej 756 euro. Në Gjermani, ndëshkimi fillon nga 90 euro, por mund të arrijë deri në 360 euro, në varësi të pasojave. Këto janë disa nga dënimet më të rënda në Europë për këtë shkelje të trafikut:
Heqja e lejes së vozitjes dhe përsëritja e provimit të vozitjes
Ndryshimet në Ligjin për shkeljet dhe sigurinë në trafik, të cilat pritet të hyjnë në fuqi nga fillimi i vitit të ardhshëm, parashikojnë përshpejtimin e procesit të heqjes së lejes së vozitjes, si dhe rregulla të tjera të rrepta. Kështu, pas vendosjes së një dënimi të formës së prerë për heqjen e lejes së vozitjes, gjykata do të ketë obligimin që brenda dy javësh të informojë policinë se personi i dënuar ka marrë ndalimin për drejtimin e mjetit. Ministria e Brendshme do të informojë për këtë me mesazh tekstual në telefonin mobil ose në adresën elektronike, duke njoftuar se, nga dita e dërgimit të njoftimit, do të fillojë periudha e ndalimit të drejtimit të mjetit.
Nëse brenda 4 vjetëve, leja e vozitjes është hequr dy herë, do të kërkohet përsëritja e provimit të vozitjes.
Në shumicën e vendeve europiane, përsëritja e provimit të vozitjes pas heqjes së lejes është e detyrueshme në rastet e shkeljeve të rënda ose të përsëritura.
Në Gjermani, për shembull, pas heqjes së lejes së vozitjes për shkelje të rënda, siç janë drejtimi i mjetit nën ndikimin e alkoolit ose drogës, ose grumbullimi i 8 pikëve të dënimit, vozitësi duhet të kalojë një vlerësim mjeko-psikologjik, i njohur si “provimi për idiotët”. Ky proces përfshin intervista psikologjike, teste reagimi dhe, në disa raste, dëshmi për abstinencë nga alkooli ose droga. Vetëm pas kalimit të suksesshëm të vlerësimit, vozitësi mund të aplikojë për një leje të re. Në disa raste, mund të jetë e nevojshme të kaloni edhe provimin teorik dhe praktik të vozitjes. Ky proces mund të kushtojë deri në 2500 euro.
Në Francë, nëse vozitësi humb të gjithë 12 pikët e dënimit në lejen e tij, ajo bëhet e pavlefshme. Për ta rifituar, ai duhet të kalojë një kontroll mjeko-psikologjik, si dhe të përsërisë provimin teorik. Nëse leja është hequr gjatë periudhës provuese, ose është hequr përsëri brenda 5 vjetëve, vozitësi duhet të kalojë edhe provimin teorik dhe praktik. Pas rikthimit të lejes, vozitësi hyn përsëri në periudhën provuese me 6 pikë.
Buzëqeshni, bëni foto dhe – paguani gjobë
Ligji do të rregullojë gjithashtu ndëshkimet me kamera. Vozitësit që kryejnë shkelje të trafikut do të marrin një lidhje elektronike me një foto dhe një fatura për pagesën. Pamjet do të ruhen për 6 muaj, përveç rasteve kur shërbejnë si prova në një proces gjyqësor ose për shkelje.
Në shumë shtete europiane janë duke u futur kamera automatike për monitorimin e shkeljeve, si kalimi në dritën e kuqe, tejkalimi i shpejtësisë, kthimi i gabuar dhe përdorimi i telefonave celularë. Këto sisteme funksionojnë 24/7 dhe janë të lidhura me bazat kombëtare të të dhënave, çka mundëson identifikimin e shpejtë të shkelësve dhe dërgimin e automatik të gjobave përmes postës ose platformave dixhitale.