Ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, ka nënshkruar urdhrin e parë zyrtar për ndalimin e 53 faqeve të internetit që ofronin në mënyrë të paligjshme lojëra të fatit online në Maqedoninë e Veriut.
Gjatë një interviste në emisionin “Për ose kundër” në televizionin Alfa, Andonovski theksoi se këto faqe janë përdorur nga qytetarë të Maqedonisë, të cilët janë kyçur përmes adresave IP vendore dhe kanë shpenzuar para në këto platforma që nuk posedojnë leje për veprimtari në vend.
“Me këtë ndalim, pengohen 53 portale që në mënyrë të paligjshme kanë ofruar lojëra të fatit dhe ku janë të kyçur lojtarë maqedonas. E dimë që janë nga Maqedonia sepse qasen nga adresa maqedonase dhe i shpenzojnë paratë e tyre,” deklaroi ministri.
Ai shtoi se bëhet fjalë për portalet më aktive, me numrin më të madh të përdoruesve dhe me qarkullimin më të madh të mjeteve financiare. Urdhri tashmë është dërguar te Agjencia për Komunikime Elektronike (AEK), e cila duhet ta përcjellë atë te operatorët telekomunikues në vend brenda 7 ditëve, të cilët do të kenë për detyrë të bllokojnë menjëherë qasjen në këto faqe.
Andonovski theksoi se kjo është vetëm masa e parë në luftën kundër lojërave të fatit të paligjshme, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve dhe rregullimin e tregut dixhital.