Zëvendësdrejtori i Doganave, Mustafa Dauti, ka njoftuar se Sektori për Kontroll dhe Hetime, përmes Departamentit për Punë Operative, ka parandaluar një tentim për transfer ilegal të parave të gatshme në vlerë prej rreth gjysmë milioni eurosh, të fshehura në një bunker të ndërtuar posaçërisht në një minibus nga Shqipëria.
Sipas Dautit, bëhet fjalë për një nga konfiskimet më të mëdha historike të devizave, ndërsa devizat dhe automjeti janë konfiskuar përgjithmonë.
Ai bëri të ditur se personi me inicialet C.G., shtetas i Republikës së Shqipërisë dhe drejtues i minibusit, është ndjekur penalisht dhe tashmë ndaj tij është shqiptuar aktgjykim nga Gjykata Themelore e Kumanovës.
“Tentimi është zbuluar në një aksion të Departamentit për Punë Operative në hyrje të shtetit, në pikën kufitare Tabanoc, ku është kryer kontroll i detajuar i një minibusi në pronësi të një agjencie turistike nga Shqipëria, me të cilin po transportoheshin shtatë udhëtarë”, thuhet në deklaratë.
Sipas njoftimit, në përputhje me ligjin, devizat e konfiskuara i janë dorëzuar Agjencisë për Menaxhim me Pasurinë e Konfiskuar, prej nga më pas janë depozituar në Bankën Popullore.

