Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, ka njoftuar se në Kopenhagë është takuar me zëvendësministren për Çështje Evropiane të Qipros, Marilena Raouna, ku kanë diskutuar për procesin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.

“Në Kopenhagë u takova me zëvendësministren për Çështje Evropiane të Qipros, Marilena Raouna. Diskutuam për integrimin tonë evropian, për negociatat e aderimit dhe për Planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor,” ka shkruar Murtezani në statusin e tij.

Ai ka theksuar rëndësinë e mbështetjes së Qipros, e cila nga muaji janar do të marrë kryesimin e Këshillit të BE-së.

“Shteti i Qipros nga muaji janar do të kryesojë Këshillin e BE-së, dhe unë veçanërisht e vlerësoj mbështetjen dhe gatishmërinë e tyre për të qenë partneri ynë për të ecur përpara në procesin e integrimit,” ka shtuar ministri.