Në një konferencë për shtyp, kandidati i VLEN-it për Komunën e Sarajit, Muhamet Elmazi, prezantoi vizionin e tij për zhvillimin e komunës, duke kritikuar dështimet e udhëheqjes aktuale dhe duke premtuar ndryshim rrënjësor.
“Elmazi theksoi: ‘Unë nuk vij sot këtu vetëm si kandidat. Vij si dikush që ka ecur nëpër Bojanë, që ka dëgjuar hallet e banorëve të Kondovës, që ka parë mungesën e investimeve në Radushë e Bukoviq, që ka ndarë përditshmërinë me Shishovën, Çajlanën, Gërçecin, Lubinin dhe çdo fshat tjetër të kësaj komune. Ne e dimë çfarë i mungon Sarajit, sepse jemi pjesë e Sarajit.’
Ai u ndal te premtimet e parealizuara të udhëheqjes komunale:
“Është turp që pas 20 vitesh ende të flasim për ujë të pijshëm, për rrugë që s’janë bërë, për mungesë të çerdheve e të investimeve bazike. Realizimi i programit 2021–2025 është më pak se 5%. Komuna e Sarajit e mbylli këtë mandat pa asnjë projekt kapital të përfunduar.”
Megjithatë, Elmazi theksoi se shpresa ekziston:
“Ndërkohë që komuna ka dështuar, qeveria e re VLEN, vetëm brenda një viti, ka sjellë pesë projekte kapitale për Sarajin, me vlerë mbi 318 milionë denarë: ujësjellës në Llaskarcë, rrugë të reja në Rashçe e Kopanicë, sallë multifunksionale dhe investime mbrojtëse në Gllumovë e Arnaqi.”
Duke folur për të ardhmen, ai solli vizionin e tij për Sarajin:
“Ne nuk duam që të rinjtë tanë të ikin, por të ndërtojnë jetën këtu. Matka nuk duhet të jetë e mbytur në bërrllog, por qendra turistike e gjithë shtetit. Liqeni i Treskës nuk duhet të jetë turp për ne, por zemra e gjallë e Sarajit. Ky është vizioni ynë, një Saraj që ofron ujë 24 orë në ditë, rrugë të rregullta, shkolla moderne, kulturë, sport dhe zhvillim ekonomik për të gjithë.”
Në fund, Elmazi dha një mesazh të fortë për qytetarët:
“Koha e mashtrimeve ka mbaruar. Koha e rrenave ka mbaruar. Koha e Sarajit ka ardhur! Së bashku do ta kthejmë Sarajin nga komuna e premtimeve të dështuara, në komunën e shpresës dhe të zhvillimit. Saraji nuk do të mbetet më në harresë, Saraji do të fitojë!”