MPB: Projekti “Safe City” uli me 40% numrin e viktimave në aksidentet rrugore

2 Min. Leximi

Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se projekti “Qytet i Sigurt” tashmë është vënë në funksion, duke e cilësuar atë si një nga mekanizmat më të rëndësishëm për modernizimin e punës së policisë dhe rritjen e sigurisë në komunikacion.
“E vumë në funksion ‘Qytetin e Sigurt’ – projekt që shpëton jetë dhe ndërton një të ardhme më të sigurt.
‘Qyteti i Sigurt’ është një projekt për të cilin u fol gjatë, ndërsa ne e realizuam. Sot ai përfaqëson një nga mekanizmat më të rëndësishëm për modernizimin e punës së policisë dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.
Rezultatet tashmë e konfirmojnë këtë.
Në periudhën shkurt–qershor të këtij viti, numri i personave të vdekur në aksidentet rrugore është ulur me 40 për qind – nga 55 viktima në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, në 34 këtë vit.
Që nga fillimi i zbatimit të sistemit janë evidentuar mbi 130 mijë shkelje në komunikacion, ndërsa më shumë se 95 për qind e tyre kanë të bëjnë me tejkalimin e shpejtësisë së lejuar. Kjo tregon qartë se rreziku më i madh në rrugët tona nuk janë kamerat, por drejtimi i papërgjegjshëm i automjeteve.
Vazhdojmë me zbatimin e projektit në të gjithë vendin, sepse qëllimi ynë nuk është të shqiptojmë më shumë gjoba, por të kemi më pak aksidente, më pak jetë të humbura dhe rrugë më të sigurta për të gjithë.
‘Qyteti i Sigurt’ është teknologji që shpëton jetë. Siguria nuk ka alternativë”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull