Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) informon se duke filluar nga sot, në Departamentin e Çështjeve Civile në ndërtesën e MPB-së në Shkup do të hapet një sportel i posaçëm për sistemin “Qytet i Sigurt”, transmeton Portalb.mk.
Sporteli do të jetë i hapur çdo ditë pune nga ora 8:00 deri në orën 17:00, dhe aty, siç njoftoi MPB, qytetarët do të mund të paraqesin kërkesë për të ndryshuar të dhënat e kontaktit që kanë paraqitur gjatë regjistrimit të automjeteve të tyre nëse ka ndodhur ndonjë ndryshim ose nëse kanë marrë njoftim me të dhëna të pasakta.
Përditësimi i të dhënave do të jetë i mundur edhe përmes stacioneve të kontrollit teknik të automjeteve në vendin ku është i vendosur një referent i detashuar i Ministrisë së Punëve të Brendshme.
MPB informon gjithashtu se për çdo paqartësi, pyetje ose problem në lidhje me sistemin “Qytet i Sigurt”, qytetarët mund të paraqesin vërejtje me email në adresën [email protected].
Ky aktivitet ka ardhur si pasojë e frikës së qytetarët e Maqedonisë së Veriut për keqpërdorimin e të dhënave personale, pasi gabimet në numrat e telefonit dhe adresat elektronike bënë që paralajmërimet për dënime të dërgohen te njerëzit e gabuar. Për këto shqetësime, nga Ministria e Brendshme për Portalb.mk u zotuan se këto probleme do të shmangen.
Që në fillim të dhjetorit, në Shkup hyri në fazën e testimit sistemi i kamerave ‘Qytet i Sigurt’ i cili detekton shkeljet në trafik dhe qytetarët marrin menjëherë njoftimet për shkeljet dhe dënimet ( të cilat do fillojnë të aplikohen nga janari 2026) përmes sms porosive dhe adresave elektronike (e-mail).
Megjithatë, këto njoftime hapën një dilemë të madhe për shkak se njoftimet shkonin edhe në numra dhe e-maile të gabuara, për çka qytetarët filluan të shqetësohen për të dhënat e tyre personale.
Në këto njoftime figurojnë të dhënat personale si: Emri, mbiemri, numri amë, numri i letërnjoftimit, adresa, numri i telefonit dhe emaili.
Disa qytetarë u ankuan edhe në redaksinë e Portalb.mk për këto probleme ndërsa ekspertët paralajmëruan për rrezikun e keqpërdorimit të të dhënave.
Kamerat “Qytet i Sigurt” të instaluara në udhëkryqet e Shkupit regjistrojnë automatikisht shkeljet e trafikut duke filluar nga 1 dhjetori. Oshte planifikuar që gjobat të fillojnë të zbatohen nga 1 janar 2026, mirëpo kjo është shtyrë për në 1 shkurt 2026.

