Ministri në largim i Shëndetësisë, Azir Aliu, mban brifingun e fundit me gazetarët

2 Min. Leximi

Ministri në largim i Shëndetësisë, Azir Aliu, ka zhvilluar sot brifingun e tij të fundit me gazetarët, të cilin e përshkroi si një moment mirënjohjeje për punën dhe rolin e mediave në informimin e qytetarëve.

Aliu theksoi se takimi nuk ishte vetëm një sesion i zakonshëm me pyetje dhe përgjigje, por një rast për të falënderuar gazetarët për angazhimin e tyre gjatë periudhës së bashkëpunimit.

“Sot mbajta brifingun tim të fundit me gazetarët. Ky nuk ishte thjesht një takim tjetër me pyetje dhe përgjigje, por një moment mirënjohjeje për njerëzit që çdo ditë mbajnë përgjegjësinë që publiku të jetë i informuar”, deklaroi Aliu.

Ai vlerësoi se gjatë mandatit ka pasur pyetje të lehta e të vështira, si dhe momente pajtimi e mospajtimi, duke nënvizuar se pikërisht kjo e bën gazetarinë të vlefshme.

“Gjatë kësaj periudhe pati pyetje të lehta dhe të vështira, momente pajtimi dhe momente me qëndrime të ndryshme, por pikërisht në këtë qëndron vlera e gazetarisë – të pyesë, të verifikojë, të këmbëngulë dhe të mos lejojë që interesi publik të mbetet në heshtje”, u shpreh ministri në largim.

Në fund të mesazhit të tij, Aliu falënderoi përfaqësuesit e mediave për profesionalizmin dhe korrektësinë e treguar gjatë bashkëpunimit.

“Ju falënderoj për profesionalizmin dhe korrektësinë”, përfundoi ai.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull