Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se uji nga ujësjellësi i Gostivarit ende nuk mund të përdoret për pije dhe gatim, pasi gjatë procesit të pastrimit dhe hiperklorimit është paraqitur një bakter i ri në instalimet e ujësjellësit. Ai shprehu pritjen që edhe kjo situatë të tejkalohet së shpejti, në mënyrë që uji të miratohet për përdorim të plotë.
“Edhe për një kohë ai ujë do të mbesë ashtu sepse tani në instalim nuk janë ato baktere fekale, por është paraqitur një bakter i ri në instalime për arsye se ato nuk janë përdorur për një kohë të gjatë. Tani, me pastrimin dhe me hiperklorimin, është paraqitur në instalime. Pres që ta tejkalojmë edhe këtë sfidë dhe sapo të tejkalohet kjo sfidë pres që uji të miratohet edhe për pije dhe gatim”, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski.

