“Kalkulimet e tij afatgjata nuk do të përfundojnë mirë për partinë e tij. Edhe nga BDI do ta kuptojnë se partneriteti i tyre është i përkohshëm – ai do t’i braktisë kur të marrë ofertë më të mirë ose të jetë i shantazhuar,” deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski duke komentuar largimin e Arben Taravarit nga Qeveria, gjatë një eventi për shënimin e 20-vjetorit të Unionit të Grave të VMRO-DPMNE-së.
“Shumë më thoshin: ‘Lëre Taravarin, ai ulet në dy karrige, negocion me BDI-në që t’i mbështesë pesë kandidatë për kryetarë komunash, ndërsa BDI kërkon që ai të dalë me lista të vetat për këshilltarë që të numërojë më shumë këshilltarë se VLEN’, si të më bindte numri i këshilltarëve për koalicion, dhe jo parimet. A duhet të harroj se si Bujar Osmani ma shiste identitetin,” u shpreh Mickoski.
Ai shtoi se Taravari zgjodhi të bëhet vegël e BDI-së dhe të mbështesë ata për të cilët kishte folur më keq.
“Le të sillet si peshk në tokë të thatë, do ta shoh kur të përpiqet të kalojë përgjegjësinë te të tjerët duke thënë se po largohet. Turpi është i tij – ndërsa ne e kemi ndërgjegjen e pastër. Është e qartë që BDI ka metoda të veta bindjeje – Ali Ahmeti paska qenë shumë bindës që e mahniti dhe e bindi se është më e rëndësishme të ketë pesë kryetarë komunash të mbështetur nga BDI sesa të mbajë fjalën. Me fat i qoftë Taravarit. Do të vijë dita kur do të takohemi sërish, kur të përpiqet të hyjë përsëri në koalicion me ne. E pres me padurim atë ditë,” përfundoi Mickoski.
