Hristijan Mickoski zotohet se derisa është kryetar i VMRO-DPMNE-së nuk do të lëvizë asnjë milimetër nga pozicionet që prekin gjuhën dhe identitetin maqedonas. Më këtë ai e bën të qartë se nuk ka ndryshime kushtetuese në situatën aktuale, që janë kusht në rrugën drejt integrimit në BE. Sipas Mickoskit lëvizje mund të ketë vetëm nëse dihet qartë nëse duhet biseduar me Brukselin apo çështja do të trajtohet si bilaterale me Bullgarinë. Mickoski menjëherë pas rizgjedhjes së tij në krye të VMRO-DPMNE-së në mandatin e tij të tretë dhe siç tha të fundit theksoi se zbatimi i plotë i aktgjykimeve të gjykatës së Strasburgut dhe respektimi i identitetit dhe gjuhës maqedonase bashkë me garanci se nuk do të ketë më veto dypalëshe, janë shtyllat mbi bazë të të cilave vendi është i gatshëm të bisedojë.
“Jemi të gatshëm të bisedojmë por fillimisht le të vendosin çfarë bisedime duan, bilaterale apo bisedime me Brukselin. Nëse janë bilaterale, atëherë konfirmohet teza jonë se ky është bilaterizim i rrugës tonë evropiane. Nëse duan të flasim në Bruksel në prezencë të euro diplomatëve, jemi të gatshëm të nisemi që nesër dhe t’i prezantojmë argumentet tona. Nuk ka lëvizje asnjë milimetër, deri në momentin që nuk respektohet edhe shkronja e fundit dhe shenja e fundit e pikësimit nga marrëveshjet dhe të drejtës ndërkombëtare dhe ajo që u përket maqedonasve nga ana tjetër e kufirit në Maqedoninë e Pirinit”, tha Hristijan Mickoski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së.
Ambasadorja gjermane Petra Dreksller nga ana tjetër, në një intervistë për REL, theksoi se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, janë thelbësore.
“Fillimisht duhet të theksohet se kjo është siguri se nuk do të ketë më shtyrje të mëtejshme, kushte shtesë jashtë marrëveshjes, kjo është e vlefshme. Ky nuk është vetëm mendimi i Komisionit Evropian, por edhe i të gjithë BE-së. .. Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë luajnë një rol të rëndësishëm jo vetëm në procesin e anëtarësimit, por edhe për bashkëpunimin midis shteteve anëtare të BE-së. Nuk ka dyshim se duhet të punohet për të arritur marrëdhënie të mira fqinjësore”, shtoi Petra Dreksller, Ambasadore gjermane.
Mosmarrëveshjet me Bullgarinë mbajnë të bllokuar rrugën eurointegruese të vendit. Ndryshimet kushtetuese janë kusht për në BE-së. Aktualisht nuk ka asnjë lëvizje në drejtim të futjes së bullgarëve në Kushtetutë, duke bërë që Maqedonia e Veriut të vendnumërojë në rrugën drejt BE-së. Vendi ishte në një pako me Shqipërinë, por ndërkohë, Tirana zyrtare ndau rrugët, i hapi të gjithë kllasterët me BE-në, duke synuar anëtarësimin e plotë madje para vitit 20230./Alsat.mk

