Zjarret që po ndodhin në vend janë të organizuara nga qendra të fuqisë nga brenda vendit dhe jashtë vendit, për të cilat kam informacione nga shërbimet, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski, transmeton Portalb.mk.
“Dua të them se gjëra të tilla do të ndodhin dhe nuk do të ndalen, dhe dua t’u bëj thirrje qytetarëve se zjarrvënie dhe sabotim i tillë do të vazhdojë në periudhën e ardhshme, sepse ka qendra fuqie në vend, por edhe jashtë vendit, që nuk duan që kjo qeveri të ketë sukses. Ne do të luftojmë. Ata do të vazhdojnë të djegin, do të vazhdojnë të krijojnë, të shpërthejnë, dhe ne do të vazhdojmë të punojmë, të luftojmë dhe në fund do të fitojmë”, tha Mickoski në përgjigje të pyetjeve gazetareske në Trubarevë, ku dje shpërtheu një zjarr në një objekt me mbeturina elektronike.
Kryeministri shtoi se ajo që po ndodh tani dhe ajo që po ndodhte në verë dhe me të cilën ata u përballën me sukses, do të vazhdojë, sepse, siç theksoi ai, dikush ka interes ta vazhdojë atë.
I pyetur nëse kompania e menaxhimit të mbeturinave ku ndodhi zjarri i plotësonte kushtet e përcaktuara në licencë, ai tha se leja ishte marrë në vitin 2021 me vlefshmëri deri në vitin 2031 dhe sipas asaj që ishte dhënë si licencë, deklaruan se e zotërojnë.
“Mund të vini re edhe mbeturina të tjera në perimetrin e zjarrit, shihni kushtet në të cilat ato punojnë, dhe ne gjithashtu shohim kushtet e mbeturinave që operojnë në të gjithë vendin. Nëse më pyetni mua, këto nuk janë kushtet në të cilat ato duhet të punojnë. Por në të njëjtën kohë, të gjitha këto sulme fizike dhe hibride që po ndodhin do të synojnë këto dobësi dhe do të vazhdojnë të ndodhin”, tha Mickoski.
Edhe drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Stojançe Angelov, pohon se shpërthimi i zjarreve nuk është rastësi dhe se është një sulm hibrid.
“Nga biseda me pronarët e ‘F Grupacija’, në objektin e të cilit me materiale mbeturinash elektronike shpërtheu një zjarr dje në Trubarevë, u tregua se shfaqja e një zjarri në këtë shkallë kërkon përpjekje serioze. Djegia spontane nuk fillon me një intensitet kaq të fortë. Dje patëm dy zjarre në të njëjtën kohë. Le të supozojmë se njëri shpërtheu aksidentalisht, por dy zjarre në të njëjtën kohë nuk besoj më se janë rastësi”, tha Angelov në konferencën e sotme për shtyp në Qeveri.
Siç theksoi ai, gjithçka filloi me zjarrin e Vardarishtes dhe kur e zgjidhën atë dhe deponia ilegale ndaloi së djeguri, dhe tymi u reduktua në minimum dhe pothuajse nuk ekzistonte, deponia e Drisllës u përfshi nga flakët.
Ai shtoi se gjatë zjarrit në “Drisla” kur njerëzit mbërritën në vendngjarje, pas disa minutash, vija e zjarrit ishte më e gjatë se 50 metra, dhe theksoi se do të ishte e pamundur nëse do të bëhej fjalë për djegie spontane, që zjarri të kishte një shtrirje dhe dinamikë të tillë. Kjo, thotë Angelov, ndodhi edhe dje.
Sipas Angelov, shumë nga zjarret që ndodhën këtë verë ishin zjarrvënie të qëllimshme.
Kohëve të fundit, janë raportuar zjarre edhe në shumë deponi, si në Drislla, ajo pranë fshatit Kuklish në komunën e Strumicës, deponia Dellçevë, deponia e qytetit në Komunën e Krushevës, si dhe deponia Vardarishtë në Komunën Gazi Babë. E gjithë kjo kulmoi me zjarrin në Trubarevë.
Mjekët në vend paralajmërojnë se pasojat në shëndetin e njeriut nga toksinat që shkaktohen nga djegia ose tymi i deponive janë të mëdha. Kjo situatë mund të shkaktojë sëmundje të mushkërive dhe zemrës, si dhe anemi.