Zv/kryeministri i parë Izet Mexhiti është takuar sot me ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidanin.
“Në ditët e para të qeverisjes sonë, nuk ka se si të mungoj takimi me z. Denion Meidanin, ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, të cilit i urova suksese në angazhimin e tij të ri.
Biseda jonë e këndshme e krejt vëllazërore u fokusua në lidhjet e forta politike, historike e kulturore të dy vendeve tona, që janë bazë e rëndësishme e bashkëpunimit mes dy shteteve.
Lidhja jonë është edhe historike, edhe aktuale. Prandaj, duke përkujtuar raportet tona shumështresore, u zotuam që do të thellojmë dhe zgjerojmë më tutje marrëdhëniet mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Gjatë qeverisjes sonë efikase, një theks i veçantë do t’i kushtohet nxitjes së partneritetit në fusha të ndryshme, përfshirë turizmin, arsimin, ekonominë dhe kulturën. E gjithë kjo marrëdhënie do të materializohet në të mirë të qytetarëve tanë”, ka shkruar Mexhiti.