Bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 250-vjetorit të Pavarësisë, duke vlerësuar rolin historik të SHBA-ve si simbol i lirisë dhe aleat i rëndësishëm për shqiptarët.

Në mesazhin e tij, Mexhiti theksoi se ekzistojnë kombe që shkruajnë historinë e tyre, por edhe kombe që arrijnë të ndryshojnë historinë e botës, duke e renditur Amerikën në këtë kategori.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës i përkasin kësaj të dytës”, deklaroi ai, duke kujtuar se shpallja e pavarësisë amerikane para 250 vitesh ndryshoi jo vetëm fatin e një populli, por edhe mënyrën se si njerëzimi e kuptoi konceptin e lirisë.

Sipas Mexhitit, SHBA-të me kalimin e kohës janë shndërruar në më shumë se një shtet, duke u kthyer në një simbol dhe burim shprese për popujt që besojnë te liria si e drejtë themelore.

“Që atëherë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë bërë më shumë se një shtet. Janë bërë një ide, një horizont shprese për ata që besuan se liria nuk është dhuratë, por e drejtë”, u shpreh ai.

Duke ndërlidhur këtë histori me përvojën shqiptare, Mexhiti vuri në dukje rolin e SHBA-ve në periudhat më të rëndësishme për fatin kombëtar.

“Në çastet më të vështira të fatit tonë kombëtar, Amerika nuk ishte një emër i largët në hartë, por aleati që na ndihmoi ta fitonim lirinë”, tha ai.

Ai shtoi se miqësia me Shtetet e Bashkuara nuk duhet të shihet vetëm si marrëdhënie diplomatike, por si një lidhje e ndërtuar mbi kujtesën historike, besimin dhe mirënjohjen.

Në fund të mesazhit, bashkëkryetari i VLEN-it shprehu urimet e tij për popullin amerikan, duke nderuar, siç tha, një komb që për dy shekuj e gjysmë ka mbajtur të gjallë idealet mbi të cilat është ndërtuar.

“Gëzuar 250-vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës!”, përfundoi Mexhiti.