Izet Mexhiti nga VLEN sot në Çair tha se kreut të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoskit për formimin e qeverisë i duhet partner shqiptar, pasi në koalicion ka nga të gjitha bashkësitë e tjera etnike, përcjell TV21. Mexhiti tha se për momentin, i vetmi koncept i pastër shqiptar në politikën në RMV, është VLEN.
“Edhe marrëveshja e majit që u nënshkrua në vitin 2007, kërkonte, aty qëndron, fituesi te shqiptarët dhe fituesi te maqedonasit të formojnë qeveri të re. Tani mendoj se BDI e ka thyer këtë, sepse nuk është koncept shqiptar, por hyri në koncept multietnik, në koncept qytetar, gjithë këtë e bëri pas 22 viteve, të shpëtojë me votat e turqve, boshnjakëve dhe legjitime ishte ajo, por tani nuk mund të thirren se i përfaqësojnë shqiptarët në Maqedoni. Koncept i pastër shqiptar është VLEN dhe normalisht që Mickoski ka turq, boshnjakë dhe bashkësi tjera etnike në koalicionin e VMRO-DPMNE-së, për të qenë fotografia e plotë, atij i duhet partner shqiptar, partner shqiptar për momentin është vetëm VLEN”, deklaroi Mexhiti./tv21.tv