Mexhiti: Menaxhimi i avancuar i mbeturinave dhe pastrimi i deponive ilegale, prioritet i Ministrisë së Mjedisit

2 Min. Leximi

Zëvendëskryeministri i parë dhe Ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, sot mori pjesë në Konferencën e 6-të Ndërkombëtare “Rruga drejt menaxhimit të qëndrueshëm të mbeturinave”, organizuar nga Shoqata për Menaxhim me Mbeturina të Ngurta – MASWA.

Në fjalën e tij, ministri Mexhiti nënvizoi rëndësinë e menaxhimit të qëndrueshëm të mbeturinave dhe zhvillimit të ekonomisë qarkore si elemente kyçe në përballjen me ndryshimet klimatike dhe degradimin e mjedisit.

- Advertisement -

“Menaxhimi i mbeturinave përbën një sfidë komplekse, por edhe një mundësi për të zhvilluar teknologji inovative dhe për të forcuar ekonominë e gjelbër. Ministria e Mjedisit Jetësor është e përkushtuar për ndërtimin e një sistemi rajonal menaxhimi të mbeturinave që do të përmbushë standardet më të larta evropiane, përfshirë ndërtimin e deponisë së parë rajonale të standardizuar në vend,” tha Mexhiti.

Ai theksoi edhe nevojën për bashkëpunim të ngushtë ndërkomunal dhe ndërsektorial dhe për respektimin e standardeve të BE-së, të cilat janë të domosdoshme për një sistem transparent dhe efikas menaxhimi, si dhe për avancimin e procesit të integrimit evropian.

Ministri Mexhiti gjithashtu informoi për masat e marra për pastrimin e deponive ilegale, duke synuar një ambient më të pastër dhe më të sigurt për qytetarët dhe mbrojtje më të mirë të shëndetit publik.

Në përfundim, Mexhiti vuri në dukje se mbrojtja e mjedisit është përgjegjësi e përbashkët dhe se përmes bashkëpunimit do të ndërtohet një të ardhme më e qëndrueshme dhe e shëndetshme për brezat e ardhshëm.

- Advertisement -

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull