Mësimdhënësit të lodhur nga sistemi, por jo nga misioni!

3 Min. Leximi

Nga Naim Kurtishi

Në çdo mëngjes shkollor, para se të trokasin zilet dhe korridoret të mbushen me zërat e nxënësve, është një njeri që hyn në klasë me barrën e ditës mbi supe, por me një mision në zemër. Ai është mësimdhënësi – njeriu që shpesh lodhet nga sistemi, por kurrë nga dëshira për të ndriçuar mendjet e brezave të rinj.

Sot, shumë mësimdhënës ndihen të rraskapitur. Jo nga libri, jo nga tabela, e as nga nxënësit. Ata lodhen nga një sistem që shpesh harron se arsimi nuk ndërtohet vetëm me reforma në letër, por me respekt për ata që e mbajnë gjallë shkollën. Dokumente pa fund, ngarkesa administrative, rregulla që ndryshojnë vazhdimisht dhe mungesa e vlerësimit moral e profesional kanë krijuar një heshtje të rëndë në zemrën e shumë arsimtarëve.

E megjithatë, mësimdhënësi vazhdon. Vazhdon të buzëqeshë para nxënësit edhe kur brenda vetes ka lodhje. Vazhdon të motivojë të tjerët edhe kur vetë ka nevojë për një fjalë motivimi. Vazhdon të mbjellë dije, kulturë dhe edukatë në një kohë kur shpesh dija matet me nota e statistika, e jo me karakterin dhe njeriun që formohet.

Mësimdhënësi i vërtetë nuk është vetëm ligjërues. Ai është prind i dytë, psikolog e pedagog, këshillues dhe udhërrëfyes. Në heshtje dëgjon problemet e nxënësve, i ngre kur bien, i mëson të besojnë në veten e tyre dhe shpesh sakrifikon edhe jetën personale për të mos e lënë procesin arsimor të zbehet.

Historia ka treguar se kombet janë ngritur mbi supet e mësuesve. Në bankat shkollore janë formuar mjekë, profesorë, shkencëtarë, artistë dhe udhëheqës. Pas çdo njeriu të suksesshëm qëndron një mësimdhënës që dikur besoi tek ai. Prandaj, kur lodhet mësimdhënësi, lodhet edhe vetë shpresa e shoqërisë.

Por, pavarësisht sfidave, ka ende mësimdhënës që nuk dorëzohen. Ata vazhdojnë të hyjnë në klasë me dashurinë për profesionin si forcën më të madhe. Sepse për ta arsimi nuk është vetëm punë – është amanet. Nuk është vetëm profesion – është mision shpirtëror.

Ndoshta sistemi mund t’i lodhë, mund t’ua rëndojë ditët dhe t’ua zbehë motivimin për një çast, por nuk mund t’ua shuajë dritën që mbajnë brenda vetes. Sepse mësimdhënësi i vërtetë jeton me bindjen se një fjalë e mirë, një këshillë e sinqertë dhe një dije e dhënë me zemër mund të ndryshojnë jetën e një njeriu.

Dhe pikërisht aty qëndron madhështia e tij: i lodhur nga sistemi, por kurrë nga misioni.

(Autori është kryetar i Shoqatës së Pedagogëve Shqiptarë në Tetovë)

TOP Lajmet

Ndani këtë artikull