Mendi Qyra, ish-kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, i cili tani kandidon si kandidat i pavarur për kryetar të komunës së Strugës, u takua me ish-kolegët e tij nga Oda për të diskutuar mundësitë për bashkëpunim të përbashkët, raporton Zyrtare.net

Gjatë takimit, Qyra njoftoi nëse merr besimin e qytetarëve do të ndihmoj si komunë bizneset e vogla dhe të mesme, ndërsa tha se do të krijojë edhe një partneritet me një kompani private për përzgjedhjen e mbeturinave në Strugë, si pjesë e përpjekjeve për mbrojtje më të mirë të mjedisit jetësor.
“Për komunën e Strugës po fillojmë një bashkëpunim që ka të bëjë me ndarjen dhe përzgjedhjen e mbeturinave, gjë që do të ketë rëndësi të madhe për qytetarët. Që nga dita e parë do të punojmë me Odën Ekonomike, e cila ka përvojë dhe kapacitet për të ndihmuar në realizimin e projekteve të tilla. Qëllimi ynë është ta përdorim këtë njohuri për të mirën e të gjithë banorëve të Strugës,” deklaroi Qyra.

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut njoftuan se i kanë dorëzuar kandidatit një platformë me propozime konkrete, mes tyre kërkesa për zgjidhjen e problemit të deponive ilegale dhe përmirësimin e mbrojtjes së mjedisit. Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Odës, Nuhi Aliu, theksoi se Struga përballet me probleme serioze shëndetësore të lidhura me ndotjen.
“Struga është shënuar si qytet me përqindje të lartë të të prekurve nga kanceri në raport me numrin e banorëve. Zoti Qyra prezantoi projekte konkrete që synojnë të zbusin faktorët që e shkaktojnë këtë, duke kontribuar kështu në përmirësimin e gjendjes shëndetësore të popullsisë,” deklaroi Aliu.
Gjatë takimit u hapën edhe tema të tjera të rëndësishme për zhvillimin lokal – ndër to, përshpejtimi i lëshimit të lejeve ndërtimore, miratimi i planeve urbanistike, rritja e transparencës së komunës dhe një administratë më efikase.
Kujtojmë se Mendi Qyra ka mbështetjen e koalicionit VLEN në garën për postin e kryetarit të komunës së Strugës.