Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës sot dështoi, sepse koalicioni VV-Guxo-Alternativa nuk e kishte shumicën e nevojshme parlamentare, si dhe për shkak të insistimit të kryeministrit dhe ministrave të tij për të mbajtur postet aktuale dhe atë të deputetit.
Krasniqi është shprehur se larg manipulimeve dhe tymnajës që po tentohet të krijohet nga qeveritarët në largim, situata është më se e qartë.
“Koalicioni VV-Guxo-Alternativa nuk e kishte shumicën e nevojshme parlamentare, sepse vetëm 52 deputetë votuan sipas kërkesës së tyre. E dyta: Insistimi i tyre për të mbajtur pozitat qeveritare dhe njëkohësisht për t’u betuar si deputetë, pa dhënë dorëheqje zyrtare, është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe Ligjin për Qeverinë, të cilin ligj e kanë hartuar vet”, ka shkruar kreu i PDK-së në Facebook.
Sipas Krasniqit, PDK nuk do të mbështesë asnjë proces që bie ndesh me Kushtetutën, siç u tentua të ndodhte sot, sepse Kosova ka nevojë për institucione të ligjshme dhe demokratike.
“Andaj i ftojmë qeverinë në detyrë, që të japin dorëheqje zyrtare nga pozitat qeveritare, të vijnë menjëherë në seancë që ta konstituojmë Kuvendin dhe pastaj vazhdojmë me fazat e tjera kushtetuese për themelimin e Qeverisë Kosova ka nevojë për institucione të ligjshme, funksionale dhe të dala nga vullneti i qytetarëve – jo për improvizime jokushtetuese dhe lojëra politike që e vonojnë formimin e tyre. PDK kërkon formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja dhe demokratike, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, ka theksuar Krasniqi.