Drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi, ka folur për sfidat e tranzicionit energjetik dhe rolin e rrjetit të transmetimit në këtë proces, gjatë konferencës ndërkombëtare “ENERGJETIKA 2026” në Strugë, percjell Zyrtare.
Latifi tha se tranzicioni energjetik nuk është më zgjedhje, ndërsa sfida, sipas tij, është që ai të realizohet në mënyrë të sigurt, të qëndrueshme dhe në kohë.
“Prodhimi nga energjia diellore dhe e erës po rritet, po zhvillohen sistemet e magazinimit, ndërsa po shfaqen konsumatorë të rinj dhe të mëdhenj, përfshirë qendrat e të dhënave dhe sistemet e inteligjencës artificiale”, shkroi Latifi.
Ai theksoi se në këto kushte prodhimi dhe rrjeti duhet të zhvillohen paralelisht, përmes modernizimit të infrastrukturës, ndërtimit të linjave të reja të transmetimit dhe nënstacioneve, si dhe rritjes së kapaciteteve dhe menaxhimit më fleksibil të sistemit.
Sipas Latifit, një rrjet i sigurt dhe fleksibil është parakusht për investime të reja, industri konkurruese dhe integrimin e burimeve të rinovueshme.
Ai veçoi edhe nevojat e konsumatorëve të rinj dhe të mëdhenj të energjisë, duke theksuar se për ta nuk është e rëndësishme vetëm sasia e energjisë, por edhe vendi i kyçjes dhe dinamika e rritjes së konsumit.
“Një tranzicion energjetik i suksesshëm nuk varet vetëm nga zhvillimi i kapaciteteve të reja energjetike, por edhe nga një rrjet i fuqishëm, modern dhe i qëndrueshëm”, tha Latifi./zyrtare/

