Sot, në një takim pune, u mblodh Trupi Koordinues Politik i VLEN-it, me ç’rast iu dha mbështetje politike dhe legjitimitet më i madh nismës së re të Akademisë së Shqiptarëve për Shkencë dhe Art.
Trupi Koordinues Politik riafirmoi se kjo iniciativë ambicioze synon të krijojë një qendër të rëndësishme për zhvillimin e kërkimeve shkencore, avancimin e arteve dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Krijimi i kësaj Akademie është një hap i rëndësishëm drejt ngritjes së standardeve të arsimit dhe krijimtarisë shkencore në vendin tonë. Duke ofruar një platformë për studiuesit, artistët dhe intelektualët shqiptarë, Akademia do të mundësojë shkëmbimin e njohurive dhe talenteve, duke nxitur një kulturë të re të ekselencës dhe inovacionit.
Anëtarët e trupit koordinues politik u pajtuan se kjo nismë, përkundër reagimeve të ashpra qofshin ato shqiptare ose maqedonase, ka fisnikërinë e saj pasi bëhet fjalë për dije, kulturë dhe qytetari, e jo për të krijuar divergjenca brenda shoqërisë sonë multietnike, e as për të fituar pikë politike.
Pas takimit, anëtarët u shprehën të bindur se kjo nismë do të ofrojë mundësi të reja për bashkëpunim dhe zhvillim, duke ndihmuar në përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe krijimtarisë shkencore.
Koalicioni VLEN thekson se kjo nismë do të jetë një pikë referimi për të gjithë ata që janë të interesuar në përparimin e dijes dhe artit, duke krijuar një ambient të favorshëm për inovacion dhe kreativitet.
Prandaj, mbetemi plotësisht të përkushtuar për të siguruar që Akademia e Shqiptarëve për Shkencë dhe Art të arrijë qëllimet e saj ambicioze, duke sjellë përfitime të mëdha për shoqërinë tonë.
Në fund, ne e ftojmë të gjithë komunitetin e studiuesve, artistëve dhe intelektualëve që të bashkohen në këtë përpjekje të rëndësishme dhe të kontribuojnë në ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritur për shkencën dhe artin shqiptar.