Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut, ka pësuar humbjen e parë për vitin 2025, në miqësoren e zhvilluar në Pragë ndaj Arabisë Saudite (2-1), njofton Telegrafi.
Spektaklin e ndeshjes e solli Aleksandar Trajkovski me një gol të jashtëzakonshëm me “roveshatë” në minutën e 40-të, por epërsia zgjati vetëm pesë minuta, pasi Al Brican barazoi shifrat.
Përzgjedhësi Milevski pjesën e parë e nisi me Alioskin, Muslin dhe Alimin, ndërsa në pjesën e dytë, aktivizoi edhe Bardhin dhe Qamilin, me kë të fundit që pati një tentim të rrezikshëm në minutën e 64-të.
Edhe përkundër përpjekjeve të futbollistëve tanë, me disa raste që pati edhe Elif Elmas dhe Qamili, në fund ishin arabët ata që festuan, falë golit të bukur të Abdullah Alhamdan në minutën e 82-të.
Kjo është disfata e parë e Maqedonisë së Veriut pas dhjetë ndeshjesh radhazi pa humbje, megjithatë humbje që vjen në një test miqësor dhe jo në sfidë zyrtare.