LVV dorëzon kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj Përparim Ramës dhe zyrtarëve të Komunës së Prishtinës

2 Min. Leximi

Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë ka dorëzuar të enjten (30.07.2026) kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, si dhe disa zyrtarëve të kabinetit të tij.

Kallëzimi penal është dorëzuar nga asamblistët e LVV-së në Kuvendin Komunal, Berita Abazi dhe Çlirim Gërbeshi.

Para dorëzimit të kallëzimit penal, Abazi deklaroi se ai bazohet në një sinjalizim anonim që, sipas saj, është pranuar një ditë më parë nga një grup asamblistësh të Prishtinës.

Ajo tha se në emailin e sinjalizuesit përfshihen mesazhe që pretendohet se flasin për legalizime të kundërligjshme dhe shuma të mëdha parash.

Sipas Abazit, në komunikimet e përfshira në sinjalizim, njëri nga personat që komunikon është shefi i kabinetit të kryetarit Përparim Rama.

“Në këto biseda, përmenden kompani ndërtimi, objekte ndërtimi dhe shuma të mëdha parash, ndërsa vetë personi pretendon se këto legalizime janë tërësisht të jashtëligjshme”-  tha ajo.

Abazi tha se se pretendimet për keqpërdorime dhe legalizime të jashtëligjshme përbëjnë, sipas saj, kriminalitet të nivelit të lartë.

“Ky është një skandal i madh, këto keqpërdorime dhe legalizime të jashtëligjshme janë kriminalitet i nivelit të lartë”- ka deklaruar Abazi.

Ajo kërkoi nga Prokuroria Speciale që të hetojë rastin dhe të vërtetojë nëse pretendimet e paraqitura nga sinjalizuesi janë të bazuara.

Për sqarimin e këtyre pretendimeve, KALLXO.com ka shkuar në Komunën e Prishtinës për të kërkuar një prononcim nga kryetari Përparim Rama.

Megjithatë, një gjë e tillë nuk ka qenë e mundur, pasi ai nuk ka qenë i qasshëm për media.

Zyrtarët e Komunës kanë bërë të ditur se përgjigje japin vetëm përmes emailit. KALLXO.com ka adresuar pyetje, mirëpo deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka pranuar përgjigje.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull