Prof. Dr. sc. Jeton Shasivari
Nga perspektiva e njërit prej autorëve të Ligjit në ardhje të përfaqësimit adekuat dhe të drejtë, është e domosdoshme të thuhet qartë: ajo që për një dekadë u quajt “balancues”, në thelb ishte një deformim i rëndë i rendit kushtetues dhe i standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Administrata publike u shndërrua në një skenë ku identiteti kombëtar nuk respektohej, por tregtohej.
Praktika e ashtuquajtur e “balancuesit” prodhoi një realitet juridikisht të papranueshëm: deklarime arbitrare të përkatësisë kombëtare, pa asnjë kriter objektiv për parandalimin e deklarimeve të tilla. Kjo jo vetëm që cenoi parimin kushtetues të përfaqësimit adekuat dhe të drejtë, por krijoi një sistem që binte ndesh me vetë thelbin e të drejtës ndërkombëtare për liritë themelore, veçanërisht me parimin e vetëidentifikimit të lirë dhe vullnetar.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e këtij mjeti dixhital nuk ishte thjesht eliminim i tij, por një ndërhyrje për të rikthyer rendin kushtetues dhe për të ndalur një praktikë që kishte marrë përmasa të abuzimit sistemik. Ai vendim konfirmoi se imponimi me ligj i deklarimit të përkatësisë kombëtare është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare dhe kushtetuese.
Zgjidhja e re ligjore përfaqëson një ndërhyrje të domosdoshme dhe të justifikuar sipas testit të trefishtë të jurisprudencës ndërkombëtare: qëllimi legjitim, nevoja e arsyeshme dhe proporcionaliteti. Ligji në ardhje garanton pa ekuivok të drejtën e çdo individi për vetëidentifikim të lirë, përfshirë edhe të drejtën për të mos deklaruar përkatësinë kombëtare. Kjo është plotësisht në përputhje me standardet e vendosura nga instrumentet ndërkombëtare dhe praktika e organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, ku theksohet se përkatësia kombëtare është një çështje e ndjenjës personale dhe nuk mund të imponohet si detyrim nga ana e shtetit.
Por, ndryshe nga sistemi i mëparshëm, ligji në ardhje nuk lejon që kjo liri të shndërrohet në mjet abuzimi. Pikërisht këtu ndërtohet balanca kushtetuese: deklarimi mbetet i lirë, por përdorimi i tij në kontekste të caktuara juridike, si punësimi publik, mund t’i nënshtrohet kritereve objektive. Këto kritere, të lidhura me dokumentet personale të qytetarëve si emri personal i regjistruar në letërnjoftim ose dokument tjetër publik, nuk synojnë të përcaktojnë identitetin e individit, por të funksionojnë si indikatorë administrativë për të parandaluar abuzimin nga deklarimi arbitrar.

