Ligjet në RMV ekzistojnë dhe po miratohen, por pa vullnet politik nuk ka administratë jopartiake

10 Min. Leximi

Në Maqedoninë e Veriut ka pasur dhe do të ketë ligje për administratën publike, por që të mos ketë punësim partiak dhe nepotik duhet të ketë edhe vullnet politik, janë decidë sindikalistët dhe ekspertët pas miratimit të paketës së re të ligjeve, për të cilën qeveria thotë se do të mundësojë shërbim efikas dhe profesional në dobi të qytetarëve, shkruan Radio Evropa e Lirë, transmeton Portalb.mk.

“Edhe ligji i parë për nëpunësit shtetërorë i vitit 2000 e profilizoi sistemin e meritës. Kemi shumë ligje, sidomos ato të vitit 2014, që kërkojnë departizimin e administratës, profesionalizimin, etj. Por nuk kishte vullnet politik. Tani edhe ligjet e reja në mënyrë formale juridike e garantojnë të njëjtën gjë, por nevojitet vullnet politik. Nëse ka, atëherë mund të presim reforma të vërteta”, thotë Borçe Davitkovski, profesor universitar në pension i të drejtës administrative dhe administratës publike.

- Advertisement -

Në vendin tonë ajo që është e rëndësishme është koka, e jo bishti, shton ai.

Ligjet e reja kanë të bëjnë me të punësuarit në sektorin publik, administratën publike, si dhe përsosjen dhe trajnimin e tyre profesional. Ministri i administratës publike, Goran Minçev, i quajti ato “reformuese” dhe ligje që do t’i japin fund punësimeve partiake dhe klientelizmit.

Një nga risitë kryesore që do të sjellin ato është themelimi i një Akademie për përsosjen profesionale të nëpunësve administrativë, me të cilën nëpunësit do t’i nënshtrohen trajnimeve dhe provimeve.

Mirëpo, për ta eliminuar praktikën e punësimeve partiake dhe familjare, vullneti politik është absolutisht i nevojshëm, thotë kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Administratës, Organeve Gjyqësore dhe Shoqatave të Qytetarëve (AOGJSHQ), Trpe Deanoski.

- Advertisement -

Punësim parazgjedhor apo nevojë reale e institucioneve
E përderisa në Kuvend po miratoheshin normat e reja ligjore që premtojnë reforma në letër, AOGJSHQ-ja reagoi se që nga fillimi i këtij viti është shpallur një numër rekord i shpalljeve për punësim – 730, kështu që punonjësit e Agjencisë për Administratë Publike janë nën presion për t’i përfunduar procedurat para zgjedhjeve të ardhshme lokale, ndërkohë që vetë marrin paga nën mesataren në vend.

“Nga njëra anë themi që punësimet në baza partiake duhet të ndalen dhe që kumbarët, krushqit, kushërinjtë të mos punësohen, ndërsa nga ana tjetër ka mbi 730 shpallje për punësim në Agjencinë për Administratë që duhet të përfundojnë deri në kohën kur shpallen zgjedhjet”, tha Deanoski.

Nga ana tjetër, për Ministrinë e Administratës Publike nuk ka asgjë kontestuese. Ata thonë se po e monitorojnë situatën dhe vërejtjet e sindikatave, por vala e re e punësimeve është e nevojshme.

“Duam të theksojmë se këto janë procedura të rregullta që burojnë nga planet vjetore të punësimit të institucioneve të përcaktuara më parë, të miratuara në përputhje me procedurat ligjore”, thanë nga Ministria e Administratës Publike.

Nga atje theksojnë edhe se fakti që janë publikuar shpalljet për punësim nuk do të thotë punësim automatik, gjegjësisht ky është vetëm fillimi i procedurës dhe “procedurat e selektimit zgjasin një periudhë më të gjatë kohore dhe përfshijnë një vlerësim objektiv bazuar në kritere të përcaktuara”.

“Jo-punëtorët” të punojnë
Sipas informacioneve të fundit në dispozicion, në sektorin publik në Maqedoninë e Veriut janë të punësuar rreth 130,000 persona, nga të cilët afërsisht 22,000 janë nëpunës administrativë në nivel kombëtar dhe lokal.

Mirëpo, sipas Ministrit të Administratës Publike, Goran Minçev, jo të gjithë punojnë. Gjatë llogaridhënies për një vit të mandatit të tij, ai doli me një vlerësim se vetëm 25-30% e punonjësve po mbajnë barrën, rreth 30% nuk japin maksimumin e tyre, ndërsa deri në 40 % e administratës nuk punon fare ose përpiqen të mos vijnë në punë, e kjo është rezultat i “punësimeve partiake, etnike dhe familjare”.

Nga AOGJSHQ-ja, nga ana tjetër, thonë se askush nuk e ka pyetur veten pse është kjo kështu dhe qeveria gjithmonë e drejton gishtin nga dikush tjetër, jo nga vetja. Nga sindikata thonë se ekzistojnë institucione që kanë mbipopullim, por nga ana tjetër ka mungesë të punonjësve të kualifikuar.

“Problemi është se gjithmonë punësohen kuadro partiakë dhe familjare pa marrë parasysh se kush është në pushtet. Dhe ata punësohen në institucione ku ka paga më të larta. Ata që janë të punësuar në organet e administratës shtetërore, si ministritë, agjencitë, fondet, kanë pagat më të ulëta në vend dhe janë gjithmonë nën sulm për shkak se janë jo-punëtorë”, tha Deanoski.

Autoritetet presin që t’i rikthejnë “jo-punëtorët” në proces përmes edukimit, trajnimit etj.

Sipas ligjeve të reja të gjithë nëpunësit administrativë do të duhet t’i nënshtrohen trajnimeve të përgjithshme për punë administrative, si dhe do të kenë edhe trajnime të specializuara. Sa trajnime, kur dhe çfarë lloj trajnimi do t’i nënshtrohen punonjësit do të përcaktohet nga planet vjetore dhe nevojat e institucioneve. Të gjithë punonjësit e rinj do të kenë gjithashtu trajnim, e më pas edhe provim. I gjithë procesi i trajnimit do të zbatohet përmes organit të ri, Akademisë për Përsosje Profesionale, e cila sipas ligjeve të reja do të formohet brenda Ministrisë së Administratës Publike. Brenda kornizës së saj do të angazhohen trajnues nga vendi dhe jashtë vendit, komuniteti akademik, biznesi, gjykatës, avokatë etj.

Një Akademi për Administratë pa ndikim politik?
Për Profesorin Borçe Davitkovski, hapi për të formuar një Akademi është i mirë jo vetëm për shkak të mundësisë së përsosjes dhe avancimit, por edhe për parandalimin e ndikimeve.

“Për akademinë janë të paraparë ekspertë, specialistë të pavarur, kështu që nuk do të ishte e mundur që aq thjeshtë të ndikohej në avancimin e shërbimit administrativ. E gjithë kjo është me qëllim të rritjes së cilësisë së të punësuarve në sektorin publik, sigurisht, nëse ai ligj respektohet siç duhet, së shpejti do të shohim rezultatet”, thotë Davitkovski.

Trajnimet e rregullta, që nuk kanë qenë të disponueshme për gjashtë ose shtatë vitet e fundit, janë të nevojshme, thotë kreu i AOGJSHQ-së. Mbi të gjitha, thekson Deanoski, ato janë të rëndësishme për ndryshimet në ligjet që po miratohen, nga të cilat varet shërbimi i administratës ndaj qytetarëve.

“Ligje po miratohen dhe vulosen çdo pesë minuta, madje kemi institucione që nuk kanë qasje në Gazetën Zyrtare ose në ato ligje, ndërsa nga punonjësit pritet që t’i mësojnë dhe t’i njohin vetë ato ligje pa pasur asnjë trajnim”, thotë Deanoski.

Ai është i bindur se shifra prej 40% jo-punëtorë nuk është e saktë, por thotë se, edhe sikur hipotetikisht të jetë ashtu, vetëm Akademia nuk do të kontribuojë që ata të fillojnë të punojnë, por nevojitet edhe një rritje e pagave dhe shpërblimeve për t’i motivuar punonjësit.

Pakoja e re e ligjeve duhet të hyjë në fuqi këto ditë dhe do të fillojë të zbatohet vetëm nga 1 janari 2027. Nga Ministria e Administratës Publike shpjegojnë se, për shembull, themelimi i Akademisë është një proces kompleks që kërkon kohë të mjaftueshme për të krijuar një plan organizativ dhe operativ, programe trajnimi, përzgjedhjen e trajnuesve etj.

Përveç kësaj, i gjithë procesi zgjatet edhe nga zgjedhjet lokale që duhet të shpallen në fillim të gushtit dhe të mbahen në tetor. Në periudhën e ardhshme pritet një paketë e re ligjesh nga ky sektor që do të mbulojë shërbimin e lartë udhëheqës, sistemin e pagave në sektorin publik, si dhe organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore.

Kujtojmë se në prag të zgjedhjeve lokale që do të mbahen këtë vjeshtë në Маqedoninë e Veriut, ueb-faqja e Agjencisë së Administratës është e vërshuar nga shpalljet për punësime. Kërkohen punonjës administrativë për ministri, komuna, ndërmarrje publike, spitale, ndërsa shpalljet janë të hapura deri në fund të korrikut, kur hyjnë në fuqi rregullat zgjedhore, sipas të cilave duhet të pezullohen procedurat, përveç rasteve kur ato janë urgjente.

TOP Lajmet

ETIKETUAR:
Ndani këtë artikull