Lëvizja Lëvizja BESA ka reaguar përmes një kumtese publike lidhur me zhvillimet e fundit në Degën e Kërçovës, duke theksuar se strukturat lokale i nënshtrohen moratoriumit të aktiviteteve partiake në kuadër të procesit të bashkimit të VLEN-it në një subjekt të vetëm politik.
Në reagim thuhet se Dega e Kërçovës, e udhëhequr nga Agim Sadiku, së bashku me sekretarin Rexhep Asani, anëtarët e kryesisë Valbona Adili Emini dhe Bejtulla Emini, si dhe anëtarësia e saj, “si të gjitha degët e tjera, i nënshtrohet moratoriumit të shpallur të aktiviteteve partiake me qëllim bashkimin e VLEN-it në një subjekt”.
Sipas njoftimit, në mbledhjen e 12 shkurtit 2026, Kuvendi Qendror i partisë vendosi shkarkimin e kryesisë dhe autorizoi kryetarin Bilall Kasami që të vazhdojë bisedimet për bashkimin e VLEN-it. Në të njëjtën mbledhje, siç thuhet në reagim, u shkarkua nga anëtarësia e Kuvendit Qendror edhe “individi i nënshkruar sot në një kumtesë pa bazë juridike në emër të Degës së Kërçovës”.
Lëvizja BESA pretendon se zhvillimet e fundit përbëjnë “tentativa të motivuara nga jashtë për ta dëmtuar Lëvizjen BESA dhe VLEN-in, përfshirë procesin e bashkimit të VLEN-it në një subjekt”. Sipas tyre, përpjekje të ngjashme kanë ndodhur edhe në të kaluarën, por “siç kanë dështuar gjithmonë, ashtu do të dështojnë edhe tani”.

